ZYRTARE: Këto janë prioritet e sportit për vitin 2018

Sport December 13, 2017 - 18:05

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, i ka prezantuar të mërkurën para Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, prioritetet strategjike të MKRS-së për vitin 2018, shkruan zeri.info.

Ai ka thënë se e gëzon fakti se buxheti për Ministrinë që e drejton është rritur për 17,4 për qind, duke e arritur vlerën e mbi 34 milionë eurove, me ç’rast do të ketë më shumë mundësi dhe hapësira të investimit në disa fusha, përfshirë këtu edhe sportin.

Ministri, ndër të tjera, i zbuloi prioritetet strategjike të Ministrisë, ku theks të veçantë i dha mbështetjes, masivizimit dhe zhvillimit të sportit cilësor.

Gjithashtu, ai u zotua se do t’i japë rëndësi të veçantë ngritjes së infrastrukturës sportive sipas standardeve ndërkombëtare.

Pa dyshim, projekti më i madh i pasluftës në sport, ai i Stadiumit Nacional, pritet të fillojë pikërisht në vitin 2018, ndërsa sporti kosovar ka nevojë edhe për stadiume tjerë të futbollit, por edhe palestra sportive, për sportet tjera. /Zëri/