Nuk është më sikur atëherë

Sport December 13, 2017 - 12:56

Kaherë ka qenë e ditur se sa larg ishte futbolli kosovar me atë ndërkombëtar, shkruan sot gazeta Zëri.

Para anëtarësimit në UEFA dhe në FIFA futbolli në vendin tonë zhvillohej shkel e shko dhe nuk respektoheshin as rregullat themelore ndërkombëtare – disa shkaku i mungesës së vullnetit e disa shkaku i pamundësisë pasi ishin të varura nga anëtarësimi në UEFA dhe në FIFA.

Dhe tani kur Kosova është bërë anëtare e këtyre dy organizatave, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po bën përpjekje që t’i sistemojë rregullat e ndryshme ndërkombëtare edhe në futbollin tonë, ku shumë nga ato rregulla janë të panjohura për klubet e që FFK-së ia ka imponuar ndërkombëtarizimi që t’i mësojë.

FFK-ja i ka njoftuar klubet se afati kalimtar i dimrit hapet më 1 janar dhe mbyllet më 31 janar.

FFK-ja ua ka tërhequr vërejtjen klubeve që të gjitha përforcimet duhet t’i procedojnë në sistemin “FIFA Connect”.

“Asnjë transferim nuk miratohet pas datës 31.01.2018”, thotë FFK-ja, e cila po ashtu sqaron klubet që deri më 15 dhjetor t’i regjistrojnë në këtë sistem lojtarët, trajnerët e zyrtarët.

“Nëse një klub e fut në lojë një lojtar që nuk ka ID-kartelë (gjegjësisht nuk është i regjistruar në FIFA Connect) e humb lojën 3:0”, ka sqaruar FFK-ja. /Zëri/