Rashica, nga janari luan në Premierligë?

Sport December 12, 2017 - 14:42

Ky mund të jetë muaji i fundit i Milot Rashicës në Holandë, shkruan sot gazeta Zëri.

Mesfushori kosovar ka gjasa të largohet nga Vitesse në afatin kalimtar të janarit pasi interesimi i klubeve për shërbimet e tij është evident.

Madje, mediet britanike shkruajnë se përfaqësuesit kosovar ia ka vënë syrin Newcastle.

Sipas tabloidit “Mirror”, klubi Bardhezi do të tentojë ta transferojë mesfushorin ofanziv të krahut të djathtë qysh në janar, me ç’rast ai mund të luajë në Premierligë në pjesën e dytë të sezonit pas shkëlqimit në tri sezonet e fundit në kampionatin holandez.

Gjithnjë sipas këtij tabloidi, trajneri Rafa Benitez i ka gati 4 milionë funte për transferimin e një futbollisti ofanziv e që ai mund të jetë pikërisht futbollisti vushtrrias.

Mirëpo, Newcastle nuk është ekipi i vetëm që e do Rashicën. Muajt e fundit interesim për përfaqësuesin kosovar kishte shprehur edhe Napoli në Itali, por flitej për një interesim edhe të Lazios.

Vetë futbollisti ka zbuluar se ky mund të jetë sezoni i fundit në Holandë dhe se do t’i pëlqente të luajë në një ligë më të fortë evropiane. /Zëri/