Futbollisti i FC Prishtinës e thyen dorën

Sport December 12, 2017 - 14:37

Skuadra e FC Prishtinës sot e ka mbajtur seancën e dytë stërvitore që nga ndeshja për Kupë me Flamurtarin, njofton klubi Bardhekaltër, përcjellë zeri.info.

“Skuadra është pothuajse komplete (mungon vetëm Bozhoviç me leje) ndërsa janë rikthyer edhe futbollistët e huazuar në vjeshtë, si Arbër Hoxha (nga Besa), Blend Baftiu (Flamurtari), Donat Hasani (KEK-u), Granit Jashari (2 Korriku), ndërsa nga nesër bashkohet edhe mbrojtësi Leonat Vitija (nga KEK-u) dhe të gjithë këta futbollistë të rinj nga afër do t’i vlerësojë kryetrajneri Mirel Josa”, shkruan në uebfaqen e klubit kryeqytetas.

“Po ashtu në stërvitje, të plotë, janë edhe Khalid e Fetahaj dhe tani mungon vetëm Boshnjaku, i cili do t’i bashkohet skuadrës me fillimin e përgatitjeve pranverore më 6 janar”, shtojnë Bardhekaltrit.

“Ndërsa, mesfushori Diar Miftaraj sot gjatë seancës stërvitore theu dorën (kocka e radiusit të shuplakës, dora e djathtë), i cili pas kontrollit te specialisti ka vendosur gjipsin dhe ku pas dhjetë ditëve do ta ketë kontrollin e ardhshëm, por me gjasë Miftaraj do t’i bashkëngjitet skuadrës më 6 janar, pas pushimit të fundvitit”, përfundon njoftimi i FC Prishtinës. /Zëri/