Rollerat rrëshqasin në Kosovë

Sport December 12, 2017 - 08:42
Shumë shpejt rollerat do të rrëshqasin edhe në Kosovë. Një grup entuziastësh e kanë themeluar Federatën e Rollerave të Kosovës, e cila shumë shpejt do të regjistrohet në Komitetin Olimpik të Kosovës. Kryetari i saj, Bujar Hoxha, thotë se gjithçka duhet të niset nga zeroja, duke nisur nga infrastruktura e deri te garuesit. Megjithatë, ai beson se ky sport në të ardhmen mund të jetë i suksesshëm edhe në garat ndërkombëtare

Shumë shpejt Kosovës do t’i shtohet një sport i ri. Nga viti i ardhshëm rollerat do të rrëshqasin edhe në vendin tonë, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, një grup entuziastësh e kanë themeluar së fundmi Federatën e Rollerave të Kosovës, të cilën në një të ardhme të afërt do ta regjistrojnë edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës.

Kryetari i Federatës së re, Bujar Hoxha, tregon se ideja për themelimin e kësaj federate lindi nga skitarët, pasi këto dy sporte lidhen me njëri-tjetrin.

“Federatën e Rollerave e kemi themeluar pak muaj më parë. E kemi marrë certifikatën e regjistrimit, e ka numrin e certifikatës, por që ende nuk e kemi regjistruar në KOK”, shprehet fillimisht Hoxha për “Zërin”.

“Ideja ka lindur nga skitarët, pasi ata i ngasin edhe rollerat, sepse këto sporte janë të lidhura”, shton ai.

Gjithçka nga zeroja

Sporti i rollerave është i huaj në Kosovë. Mirëpo, themeluesit e tij do të mundohen ta masivizojnë atë që nga viti i ardhshëm.

Fillimisht, ata po mendojnë për infrastrukturën e më pas për garuesit. Gjithsesi, gjithçka duhet të fillohet nga zeroja.

“Ne jemi duke u munduar të gjejmë infrastrukturë adekuate, pasi momentalisht nuk kemi fare infrastrukturë. Jemi duke shikuar me Komunën për ta gjetur një vend të mirë, pasi te Fakulteti Teknik ka shumë lëvizje të njerëzve dhe ka rreziqe të ndryshme, prandaj aty nuk mund të ushtrojmë edhe gjatë. Na nevojitet një teposhtëze 300 metra me pjerrësi 4/5 për qind. Më pas do ta kërkojmë edhe një rreth ku mund të ushtrojnë dhe garojnë sportistët tanë. Pra, ekzistojnë dy disiplina: rollera alpin me pengesa, si skijimi dhe rollera në rreth”, tregon kryetari i kësaj Federate të re.

Image

Shumë të rinj, të interesuar për sportin me rollera

Momentalisht në Kosovë nuk ka ndonjë sportist profesionist të rollerave.

Mirëpo, kryetari i kësaj Federate zbulon se interesimi i të rinjve për t’u marrë me këtë sport është i madh, por që tani nuk janë pjekur kushtet për t’i nisur ushtrimet dhe garat.

“Ka entuziazëm të madh tek të rinjtë, por badihava i regjistrojmë fëmijët kur s’kanë ku të ushtrojnë. Njëherë për njëherë nuk po duam ta promovojmë aq shumë këtë sport derisa të krijohen kushtet”, nënvizoi ai.

Image

Vitin e ardhshëm, në gara ndërkombëtare

Ky vit shkoi si shkoi. Por në vitin 2018 Hoxha tregon se është në plan zhvillimi i këtij sporti dhe rrjedhimisht edhe pjesëmarrja në garat ndërkombëtare me garues të rinj.

“Ky vit na iku pasi ishim vonë, nuk kemi mundur të mbërrinim të kyçemi në gara, pasi u desh t’i kryenim edhe gjërat administrative. Por kah muaji maj i vitit tjetër do të fillojmë me ushtrime dhe do të mendojmë se në cilat gara të marrim pjesë me garuesit tanë”, shpjegon ai.

Gjithashtu, ai beson se sportistëve me rollera as sukseset nuk do t’ju mungojnë. “Besoj se me moshat e vogla do të kemi sukses në garat ndërkombëtare”, theksoi ai.

350 fëmijë në shkollën “Omnisport”

Hoxha njëherësh është edhe bashkëpronar i shkollës së sportit “Omnisport”, një firmë private, ku ushtrojnë fëmijët sporte të ndryshme, kryesisht te Fakulteti Teknik.

“Jemi gjashtë pronarë të shkollës ‘Omnisport’. Klubi është qendër e përgatitjeve sportive të fëmijëve. I kemi 350 fëmijë me të cilët punojmë rreth përgatitjes fizike, ndërsa theks të veçantë ka gjimnastika, por ata ushtrojnë edhe me rollerat”, përfundoi Hoxha, i cili njëherësh është nënkryetar i klubit të skijimit Prishtina. /Zëri/

Image