Drenasi i 'Dardanisë'

Sport December 05, 2017 - 15:31
Qeveria e Kosovës i ka mëshuar vulë lokacionit të ndërtimit të Stadiumit Nacional. Të hënën është hequr çdo dilemë, pasi u vendos përfundimisht që njëri prej projekteve më të rëndësishëm pasluftës të ndërtohet në Drenas, edhe pse fillimisht ishte vendosur që ai të bëhet në Prishtinë. Stadiumi Nacional do të ndërtohet në një hapësirë prej 25 hektarësh në Sankoc të Drenasit, 14 kilometra larg Prishtinës. Punimet pritet të nisin në vitin 2018

Derisa futbolli kosovar po përballet me probleme të mëdha në infrastrukturë, me ç’rast Përfaqësuesja e Kosovës i zhvilloi ndeshjet eliminatore të Botërorit në Shqipëri, stadiumi i Prishtinës vazhdon renovimin me hapa të breshkës e ai “Adem Jashari” po arnohet kohë pas kohe, Qeveria e Kosovës e ka marrë të hënën një vendim të rëndësishëm, në njërin prej projekteve më madhor të sportit kosovar pasluftës, por edhe të vet shtetit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, dje e ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Sportit rreth lokacionit të Stadiumit Nacional të futbollit, shkruan sot gazeta Zëri.

Ministri Kujtim Gashi e ka paraqitur para Qeverisë së Kosovës lokacionin për ndërtimin e Stadiumit Nacional, duke kërkuar që të ndryshohet lokacioni nga Bërnica e Poshtme në Zonën Industriale të Drenasit, kërkesë kjo që është aprovuar nga Qeveria.

Sipas ministrit, ky lokacion është më i përshtatshëm, për shkak se gjendet në mes të Kosovës dhe nuk ka probleme me shpronësim të pronës, ashtu sikurse po ndodhte në Bërnicë, ndërkohë që është afër aeroporti dhe po ashtu edhe kryeqyteti.

Stadiumi Nacional do të ndërtohet në një hapësirë prej 25 hektarësh në Sankoc të Drenasit, 14 kilometra larg Prishtinës.

Vendimi për ndryshimin e lokacionit të Stadiumit Nacional kishte hapur debat të madh në Kosovë, pasi një pjesë e mirë e njerëzve të sportit ishin kundër zhvendosjes së tij në Drenas.

Madje kishin filluar edhe shakatë, pasi kishte njerëz që thoshin se stadiumit duhet t’i vendoseshin rrotat për t’u zhvendosur herë në Prishtinë e herë në Drenas.

Sidoqoftë, ideja për ndërtimin e Stadiumit Nacional ishte përmendur së pari nga presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2014 derisa Ministria e Sportit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës e kishin lokalizuar në vitin 2016 vendin në Bërnicë të Poshtme.

Megjithëkëtë, vendimi u ndryshua sivjet pasi duket se politika, respektivisht politikanët, po mendojnë të fitojnë poenë politikë nga ndryshimet e lokacionit të këtij stadiumi.

Momentalisht, nuk dihet saktë se kur do të fillojë ndërtimi i tij, sa do të zgjasin punimet, kur do të jetë i gatshëm dhe se kush do ta ndërtojë?

Në Qeverinë e Kosovës thonë se punimet për ndërtimin e Stadiumit Nacional, respektivisht faza e parë, do të ndodhë në vitin 2018, por duke u bazuar nga e kaluara kur gjithmonë punët kanë nisur me vonesë dhe kanë shkuar zvarrë, ka vend për hamendje nëse vërtet ky projekt gjigant do të nisë së ndërtuari vitin tjetër.

Gëzimi i Ramiz Lladrovcit

Vendimit për ndërtimin e Stadiumit Nacional i është gëzuar më së shumti kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, i cili këtë gëzim e ka ndarë me deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinajn.

“Faleminderit të gjithë kontribuuesve, në veçanti kryeministrit Haradinaj dhe kabinetit qeveritar, të cilët mirëpritën dhe miratuan propozimin e ministrit Kujtim Gashi që Stadiumi Nacional të ndërtohet në Drenas”, ka shkruar fillimisht ai.

“Këtë gëzim timin personal, por edhe të krejt Drenicës sot e ndava me Daut Haradinajn, në kujtim të të gjithë atyre që me jetën e veprën e vet i kontribuuan lirisë sonë, ndërsa sot angazhimit institucional për sundimin e ligjit dhe përparimin e Kosovës. Faleminderit dhe gëzuar qytetarë të Drenasit, Drenicës dhe krejt Kosovës, Stadiumi Nacional!”, ka shtuar Lladrovci.

Pa diskutim Kosova ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër për një stadium nacional, pasi Përfaqësuesja u desh të shtegtonte herë këndej e herë andej për të zhvilluar ndeshje zyrtare.

Qeveria hungareze ishte shprehur e gatshme ta ndërtojë Stadiumin Nacional me një kredi pa kamatë, por në “lojë” janë edhe turqit, të cilët i kanë fituar në të kaluarën tenderët për projektet më gjigante në Kosovë. Stadiumi Nacional pritet të emërohet “Dardania”. /Zëri/