Sulmuesi i Kosovës shënon gol pas dy vitesh

Sport November 24, 2017 - 15:06

Atdhe Nuhiut i është rikthyer buzëqeshja. Futbollisti kosovar nuk shënonte qe një jetë për ekipin e tij, Sheffield Wednesday dhe “agjërimit” afatgjatë të tij i erdhi fundi të mërkurën mbrëma, shkruan "Zëri".

Në fakt, përfaqësuesi kosovar, i cili në dy sezonet e fundit është rezervist i rregullt i ekipit nga Championshipi anglez, e gjeti golin e shumëpritur në ndeshjen e ekipit të tij ndaj Ipswich Townit të Bersant Celinës.

Nuhiu u inkuadrua në lojë në minutën e 87-të dhe vetëm pas tre minutash, në atë të 90-të, sulmuesi shtatlartë ia doli ta barazonte rezultatin në 2:2, me të cilin edhe përfundoi kjo ndeshje.

Nëse kthehemi prapa, mund ta shohim se ai s’e kishte shijuar aromën e golit qe dy sezone. Në fakt, "Zëri" shkruan se në sezonin 2016/17, Nuhiu nuk e kishte realizuar asnjë gol, edhe pse ishte inkuadruar në lojë kohë pas kohe në fund të ndeshjes.

Përfaqësuesi kosovar e kishte shënuar golin e fundit në sezonin 2015/16, në ndeshjen ndaj Queens Park Rangers në Hillsbrorough, ku skuadra e tij kishte barazuar 1:1.

Sheffieldi mund ta fitonte atë lojë, por Nuhiu e kishte humbur penalltinë në atë natë.

Një statistikë tjetër e pabesueshme: Wendsday i ka zhvilluar 86 gola që kur Nuhiu e kishte realizuar golin e fundit.

Në atë sezon, Atdheu kishte realizuar 5 gola, më pak se gjysma e totalit prej 11 golave të cilat i kishte shënuar në sezonin 2014/15. Këtë sezon, Nuhiu nuk ka startuar ende asnjëherë dhe është inkuadruar në lojë nga bankina pesë herë, tri herë në Championship dhe dy herë në EFL Cup.

Sezonin e kaluar, ai i kishte zhvilluar dy ndeshje të ligës nga minuta e parë dhe një herë në EFL Cup, krahas 19 lojërave në të cilat ishte inkuadruar si zëvendësues në Championship dhe një në FA Cup.

Vlen të ceket se Nuhiu ishte pjesë e rregullt e Përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret për Botërorin 2018 dhe ia kishte bërë sefte në ndeshje me Islandën, ku e kishte realizuar golin e parë dhe të vetëm për Verdhekaltrit. /Zëri/