Këto janë pesë ndeshjet e Superligës që luhen sot!

Sport November 22, 2017 - 11:59

Kampioni aktual i Kosovës, Trepça ’89, do të ketë punë mjaft të vështirë në derbin e xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll, shkruan sot gazeta Zëri.

Mitrovicasit do ta vizitojnë sot Gjilanin ku i pret skuadra vendëse, e cila këtë edicion po luan jashtëzakonisht mirë dhe si rezultat këto dy ekipe e ndajnë pozitën e katërt në tabelë me nga 24 pikë të grumbulluara.

Gjilanasit e kanë pësuar vetëm një humbje këtë edicion dhe synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive në shtëpi.

Nga ana tjetër, “Xehetarët”, të cilët janë në ngritje e sipër qëkur i mori në dorë përkohësisht trajneri Gani Sejdiu, do t’i hyjnë këtij dueli së paku për ta nxjerrë një pikë, gjë e cila duket e mundshme duke pasur parasysh se gjilanasit kanë nëntë barazime.

Ndeshje interesante pritet të zhvillohet edhe në Pejë, ku Besa e pret liderin, Llapi.

Llapjanët kanë nevojë për fitore pas “kiksit” të xhiros së kaluar, nëse duan ta ruajnë lidershipin.

E pikët u duhen si buka edhe Bardhekuqve, të cilët gjenden në pjesën e poshtme të tabelës, të rrezikuar që të bien nga Superliga këtë sezon, për herë të parë në futbollin e pasluftës.

Liria llogarit në fitore në shtëpi ndaj Flamurtarit të pafuqishëm këtë edicion për ta harruar humbjen dramatike nga Drita në fund të ndeshjes, kurse Feronikeli gjithashtu do të mundohet t’i mbajë të tria pikët në Drenas në përballje me Vëllaznimin, i cili megjithatë këtë sezon po di të jetë ekip i papërshtatshëm dhe mund të befasojë në çdo moment.

Drita, pasi e rrëmbeu pozitën e dytë, ka nevojë për ta konfirmuar formën e mirë kur ta vizitojë sot Drenicën.

Megjithatë, Kuqezinjtë janë të motivuar maksimalisht pas fitores së madhe ndaj Prishtinës dhe do t’ia bëjnë hyzmetin deri në fund për t’i shkëputur tri pikë tjera të mëdha nga kjo sfidë.

Prishtina, veç fitore

Derisa të mërkurën luhen pesë ndeshje, e enjtja vjen me duelin ndërmjet Vllaznisë dhe Prishtinës, i cili njëherësh do të jetë edhe përmbyllës i kësaj xhiroje.

Pozheranasit duken thuajse të dorëzuar pasi kanë mbetur shumë prapa.

Mirëpo, ata tash e tutje do të tentojnë të jenë “arrë e fortë” dhe ta befasojnë çdo kundërshtar që u del përpara.

Nga ana tjetër, Bardhekaltrit nuk kanë më vend për gabime pas dy humbjeve nga Liria dhe Drenica, kështu që tri pikët për ta nga kjo ndeshje nuk janë në diskutim.

Çdo rezultat tjetër për ekipin e Mirel Joses konsiderohet si dështim. Duhet cekur se xhiroja e radhës, ajo e 17-të, do të zhvillohet këtë fundjavë me ndeshje tjera interesante. /Zëri/

Superliga – Java e 16-të

E mërkurë

Gjilani – Trepça ‘89

Besa – Llapi

Liria – Flamurtari

Drenica – Drita

Feronikeli – Vëllaznimi

E enjte

Vllaznia – Prishtina

Ndeshjet fillojnë në orën 13:00