Lajme të mira nga salla e Pallatit të Sportit në Prishtinë

Sport November 21, 2017 - 16:03

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, e ka vizituar të martën Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë për t’i inspektuar investimet që po bën MKRS-ja në sallën e vogël.

Investimet e reja për shtimin e numrit të ulëseve bëhen përmes një kontrate, e cila ka vlerën e rreth 170 mijë eurove, shkruan zeri.info.

Ministri Gashi pa nga afër punimet që po bëhen në këtë palestër, e cila po furnizohet me ulëse të reja teleskopike dhe po rregullohen ulëset ekzistuese për t’i plotësuar standardet që ka kërkuar FIBA me shtimin e 2818 ulëseve në sallë.

Ministri e vlerësoi cilësinë dhe dinamikën e punës që po bëhet në këtë objekt sportiv dhe u zotua se salla do të jetë e gatshme për ndeshjet e Përfaqësueses A të Kosovës në basketboll në mënyrë që Kosova t’i zhvillojë kualifikimet për “Kina 2019” brenda vendit.

Image

“Vizitova sot Pallatin e Rinisë dhe të Sportit për ta shprehur mbështetjen e Ministrisë dhe të Qeverisë se infrastruktura sportive në vendin tonë do të përmirësohet e do të plotësohet ashtu që sportistët tanë t’i kenë hapësirat e mjaftueshme dhe të standardeve evropiane e botërore për t’i kryer aktivitetet e tyre sportive”, tha ministri. “Ministria bashkë me palët e përfshira jemi angazhuar dhe kemi punuar me përkushtim maksimal që salla e vogël e Pallatit të Rinisë dhe të Sportit të jetë e gatshme për ndeshjet e Përfaqësueses A të Kosovës në basketboll. Punimet janë zhvilluar sipas afatit së planifikuar me një dinamikë të shtuar. Mbetet të them që salla do të jetë e gatshme për lojë sipas kritereve të parapara nga FIBA dhe sportistët e sportdashësit në Kosovë do të kenë mundësi t’i shohin lojërat e Përfaqësueses dhe të klubeve tona në hapësirat moderne”, u shpreh ministri Gashi.

Ndeshja e parë në sallën me ulëset e shtuara do të zhvillohet me ballafaqimin e Kosovës në basketboll kundër Lituanisë më 24 tetor, në orën 19:00, në kuadër të grupit C në kualifikimet evropiane për kupën e botës “Kina 2019”.

Image

Duhet cekur se të mërkurën në Kosovë do të arrijë një përfaqësuese e FIBA-s, e cila do ta japë verdiktin final nëse salla e Pallatit të Sportit i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve të këtij niveli.

Ministri është shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, si dhe kryetari i Sigal Prishtinës Blerand Stavileci dhe nga drejtori i klubit Florian Miftari. /Zëri/