Ja kush e la Donjeta Sadikun pa Botëror

Sport November 21, 2017 - 14:05

Shkaqet politike ia kanë mohuar Kosovës një medalje botërore, shkruan sot gazeta Zëri.

Donjeta Sadikut i është shuar shpresa për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror për të reja të hënën, kur i është refuzuar përfundimisht nga kryeministri indian hyrja e saj në Indi, ku po mbahet ky eveniment prestigjioz i boksit.

Këtë e ka bërë të ditur Federata e Boksit e Kosovës (FboxK), e cila ka shpresuar deri në fillim të kësaj jave, por tash gjithçka ka marrë fund.

Donjetës do t’i duhet ta shikojë Botërorin në shtëpi përmes televizorit edhe pse ajo në fund të tij mund të gjendej në podium duke e festuar suksesin me ndonjë medalje, me shumë gjasë të artën.

“Deri sot kemi pritur, pasi nesër (e martë) me short do të duhej të boksonte Donjeta. Në mëngjesin e së hënës Komiteti Olimpik Ndërkombëtar na konfirmoi përmes nënkryetarit Jerome se kryeministri indian nuk e lejon hyrjen e ekipit kosovar në Indi”, ka njoftuar për “Zërin” sekretari i përgjithshëm i FboxK-së, Latif Demolli.

Donjeta ka mbetur e dëshpëruar me refuzimin e vizës, madje edhe është përlotur, pasi i ka shkuar huq mundi dhe ushtrimet disamuajshe.

Ajo synonte të shpallej kampione e botës për juniore, pasi më parë ishte shpallur nënkampione e botës dhe kampione evropiane për të reja.

Donjeta, favorite në Botëror

Derisa Donjeta gjendet ende në Kosovë, në Indi është hedhur shorti i Botërorit për të reja dhe boksieres më të mirë kosovare i ka rënë short mjaft i lehtë. Sipas krerëve të boksit kosovar, në bazë të këtij shorti Donjeta do të mundë ta fitonte medaljen e artë.

E mediet e huaja nuk ia kanë idenë se Sadiku nuk do të marrë pjesë në evenimentin që do të mbahet në Indi.

Madje “womenboxing.com” ka shkruar për favoritet e Botërorit për juniore dhe e kanë përfshirë edhe Donjetën pa e ditur se ajo e ka humbur mundësinë e pjesëmarrjes në mesin e favoriteve për t’u shpallur kampione botërore.

“Medalistja e argjendtë në Botërorin e AIBA-s, Donjeta Sadiku, është njëra ndër favoritet e Botërorit të Indisë”, shkruan kjo uebfaqe.

Botërori për juniore ka filluar të dielën në Guwahati të Indisë dhe Donjeta do të duhej të boksonte të martën.

Fatkeqësisht politika e mposhti sportin në këtë rast dhe Sadiku mbeti në shtëpi. /Zëri/