Kombëtarja akuzohet për kurdisje, Bushi sulmon mediat

Sport November 20, 2017 - 12:52

Trajneri i U21 të Shqipërisë, Alban Bushi ka sulmuar mediat sa i përket sinjalizimeve që dha kompania e monitorimit të basteve “Federbet” për ndeshjen që skuadra jonë kombëtare humbi 3-0 në Gjeorgji.

Kur u pyet në emisionin “Zona Gol” në lidhje me këtë, Bushi u skuq në fytyrë dhe për asnjë moment nuk tha se do ta hidhte në gjyq një kompani si “Federbet”.

Nuk tha që ata do të përballen me ligjin për shpifje. Bushi thjesht iu përvesh medias që e kishte publikuar si lajm.

E çuditshme, por trajneri i skuadrës tonë Kombëtare U-21, që krenohet kryesisht me lojën, por jo me pikët, preferoi t’i quante mediat kazan, edhe pse në fakt ishte duke folur në media dhe përballë kishte edhe dy gazetarë.

“Nuk kam dëshirë të komentoj rastin e ‘Federebet’-it. Ka shumë qen që lehin, por e rëndësishme është që karvani të shkojë përpara. Këtu ka disa media, pakica, jo shumica, të cilat përpiqen të nxijnë me çdo kusht futbollin shqiptar. Por nuk ka problem, sepse ato janë kazani. Siç e thotë edhe ai lart (i referohet kryeministrit). Futbolli ynë ka bërë hapa gjigantë vitet e fundit”, u shpreh Bushi, shkruan Panorama Sport.

“Skënderbeu dy herë në fazën e grupeve, Kombëtarja në Evropian dhe Shpresat që luajnë shumë bukur, por ka disa që duan të gjejnë vetëm të keqen”.

Bushi pranoi se skuadra U-21 ka luajtur mirë sipas tij, por i mungojnë pikët më klasifikim dhe konsideroi skuadra të nivelit shumë të lartë Islandën dhe Sllovakinë.