Yjet jashtë Botërorit

Sport November 20, 2017 - 12:29

Futbolldashësit tashmë i kanë mësuar emrat e 32 shteteve pjesëmarrëse në kupën e botës “Rusia 2018”. Por, jashtë këtij kompeticioni kanë mbetur edhe përfaqësuese me nam si Italia, Holanda apo Kili. Tifozët anembanë botës nuk do të kenë mundësi t’i shohin disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit gjatë verës së ardhshme, shkruan zeri.info

Alexis Sanchez, Gareth Bale apo edhe Gialuigi Buffon janë vetëm disa prej yjeve që do të mungojnë në Kupën e Botës. Moskualifikimi i Italisë në Botëror pas ndeshjeve të barazhit këtë javë pa dyshim që ishte njëri prej lajmeve më zhgënjyese për tifozët e futbollit. Emrat e 32 pjesëmarrësve në “Rusia 2018” tashmë i kemi mësuar dhe ne ua sjellim një formacion të përbërë nga yjet që kanë mbetur jashtë kompeticionit më të madh të sportit më të popullarizuar në botë.

Gianluigi Buffon (Itali)

39-vjeçari është njëri prej portierëve më të mirë në historinë e futbollit, por nuk arriti që ta drejtojë Italinë drejt kualifikimit në Botëror në ndeshjet e barazhit ndaj Suedisë dhe tani është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar.

Legjenda e Juventusit tani mund të përqendrohet në ëndrrën e tij për ta fituar Ligën e Kampionëve.

Antonio Valencia (Ekuador)

Një seri e paraqitjeve të mira si mbrojtës i djathtë në edicionin e kaluar bën që ai të zgjidhet “Lojtari i Vitit” në Manchester United, por ai nuk arriti që ta udhëheqë kombëtaren e tij drejt kualifikimit në Botëror.

Virgil Van Dijk (Holandë)

Qendërmbrojtësi nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u larguar nga Southmaptoni, por nëse qëndron deri në qershor te klubi anglez nuk do të mundë t’i tregojë aftësitë e tij në Kupën e Botës, sepse nuk arriti të kualifikohet në këtë turne me kombëtaren e Holandës.

Leonardo Bonucci (Itali)

Një zgjedhje e vështirë mes tij dhe ish-bashkëlojtarit te Juventusis, Giorgio Chiellini (i cili u pensionua nga përfaqësuesja së bashku me Buffonin, Daniele De Rossin dhe Andrea Barzaglin), ku Bonucci luajti me hundë të thyer ndaj Suedisë dhe 30-vjeçari mund ta ketë edhe një shans të fundit për të luajtur në Kupën e Botës 2022.

David Alaba (Austri)

Fituesi i gjashtëfishtë i Bundesligës dhe i Ligës së Kampionëve, Alaba, nuk ka pasur një karrierë edhe aq të mirë me përfaqësuesen e Austrisë. Kampionati Evropian 2016 ka qenë kompeticioni më i madh që ai ka luajtur me kombëtaren e tij.  

Naby Keita (Guine)

Mesfushori do të jetë i freskët kur të arrijë në Liverpool verën e ardhshme, sepse Guinea nuk arriti që të kualifikohet në Botëror.

Arturo Vidal

Mesfushori, i cili kishte shkëlqyer në dy botëroret e kaluara, ishte i suspenduar në ndeshjen e fundit të kualifikueseve kundër Brazilit dhe ishte i pafuqishëm për ta shpëtuar kombëtaren e tij nga eliminimi.

Gareth Bale

Kanë qenë disa vite pozitive për Uellsin, por gjysmëfinalisti i Kampionatit Evropian 2016 nuk ka arritur që të kualifikohet në Kupën e Botës, që do të thotë se Bale duhet ta presë paraqitjen e parë në këtë kompeticion deri në vitin 2022.

Christian Pulisic (SHBA)

Njëri prej talenteve më të mirë në botë duhet të presë edhe katër vjet për ta bërë debutimin e tij në Botëror, sepse SHBA-ja nuk arriti të kualifikohet për herë të parë që prej vitit 1986.

Alexis Sanchez (Kili)

Ylli i Arsenalit nuk do të mundë të udhëtojë në Rusi verën e ardhshme. Humbja në ndeshjen e fundit të kualifikueseve ndaj Brazilit ishte fatale për kilianët.

Pierre-Emerick Aubameyang (Gabon)

Gaboni kurrë nuk është kualifikuar në Kupën e Botës dhe ndoshta nuk do të arrijë të kualifikohet as me një gjeneratë futbollistësh mjaft të mirë të këtyre viteve të fundit.

Rezervat:

Jasper Cillessen (Holanda), Daley Blind (Holanda), Gary Medel (Kili), Miralem Pjanic (Bosnja dhe Hercegovina), Marek Hamsik (Sllovakia), Henrikh Mkhitaryan (Armenia), Arjen Robben (Holanda), Riyad Mahrez (Algjeria), Edin Dzeko (Bosnja dhe Hercegovina)./Zëri

Image