Lojëra politike me sportin

Sport October 31, 2017 - 12:15
Sporti kosovar ia ka parë sherrin gjithmonë politikës. Kjo e fundit po bën “lojëra” me sportin edhe rreth ndërtimit të stadiumit nacional. Njerëzit e sportit thonë se janë lodhur me ndërrimet e lokacioneve të këtij stadiumi, duke i konsideruar këto si “lojëra politike” për përfitime të poenëve politikë. Atyre u ka humbur durimi dhe kërkojnë që të nisin sa më shpejt punimet në stadium, pasi shtojnë se Kosovës po i ikën treni. Situatën e krijuar së fundmi e konsiderojnë qesharake dhe të turpshme

Kosova vazhdon të mbetet peng i “lojërave politike”. Vendi ynë është njëri prej të rrallëve në botë që nuk ka stadium nacional.

Ky projekt madhor vazhdon të zvarritet dhe nuk dihet ende se ku dhe kur do ta ketë fillimin, shkruan sot gazeta Zëri.

Fillimisht, ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në vitin 2014 kishte vendosur që stadiumi nacional të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës e më pas ishte ndarë edhe parcela për ndërtimin e tij.

Mirëpo, së fundmi kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se stadiumi kombëtar do të ndërtohet në Drenas.

Ky fakt ka nxitur debat të madh ndër njohësit e sportit, por edhe më gjerë pasi mendimet janë të ndryshme nëse ky stadium duhet të ndërtohet në Prishtinë apo në Drenas.

Njohësit e futbollit thonë se Kosova nuk ka kohë për këso lloj “lojërash politike” dhe se duhet të veprohet shpejt për ta nisur dhe për ta përfunduar ndërtimin e stadiumit, duke i lënë anash poenët politikë, të cilët politikanët mundohen t’i fitojnë nga ky projekt.

“Jam i befasuar me ato që po ndodhin së fundmi rreth stadiumit nacional. Fillimisht ishte ndarë parcela në Bërnicë, tash ndërrohet vendi. Politika po intervenon për interesa të saj. Nuk e di përse po intervenon dhe po përzihet politika. Po i ndërrojnë fjalët përditë. Duhet të fillojnë punimet dhe të lihen anash fjalët. Po ka vetëm fjalë boshe, ndërsa ne, siç thotë populli, po prashitim në vend. Duhet vepruar sa më shpejt”, thotë për “Zërin” trajneri Fahredin Duraku.

“Ne jemi shumë prapa, shkoi një cikël, Përfaqësuesja endet sa andej, sa këndej e ne nuk kemi ende stadium. Shikojeni Maqedoninë çfarë stadiumi e ka bërë. Duhet të marrim shembull nga ajo. Më së shumti po humb sporti nga kjo zvarritje. Po krijohen situata qesharake, po na ikën treni çdo ditë e më shumë. Kjo është marri”, vazhdoi ai.

Sipas Durakut, stadiumi nacional duhet të ndërtohet në Prishtinë, siç i kanë edhe vendet tjera të rajonit në kryeqendrat e tyre.

Sejdiu: Të nisin punimet, të mos luhet me sportistët!

Edhe trajneri Gani Sejdiu mendon se punimet e stadiumit nacional duhet të nisin sa më shpejt, pa marrë parasysh vendit se ku do të ndërtohet ai. Ndërrimet e lokacioneve e bëjnë të dyshojnë edhe atë se po bëhen lojëra politike.

Sipas tij, nga këto procedura të ngadalësuara po e pësojnë më së shumti sportistët.

“Sa i përket aspektit sportiv, kjo nuk është aspak e mirë, pasi më së shumti nga kjo pëson sporti. Ne duam punë konkrete, jo shumë fjalë. Kemi pritur gjatë, por ende nuk kanë filluar punimet. Zhvendosja e lokacionit nga qeveritë e ndryshme po e dëmton sportin dhe e vërteton se mund të ketë lojëra politike, që janë shumë të dëmshme, edhe pse nuk dua të hyj shumë në këtë fushë që s’më takon”, shprehet trajneri kosovar për gazetën.

“Stadiumi nacional është më se i nevojshëm, kudo që ndërtohet ai. Kosova është e vogël dhe nuk luan shumë rol se ku do të ndërtohet ai. Le të fillojë ndërtimi pasi sportistët po vuajnë dhe po e përjetojnë më së keqi. Nuk e kemi gëzuar ende si duhet pranimin në UEFA e në FIFA në pritje të këtij stadiumi, i cili do të mbushej me tifozë që po e presin me dekada këtë ditë”, vazhdoi ai.

37 hektarë ishin ndarë në Bërnicë, afër Prishtinës dhe ishte vendosur edhe emri i stadiumit, “Dardania Arena”.

Punimet ishin planifikuar të nisnin në vitin 2015, por kjo nuk ka ndodhur kurrë.

Madje, qeveria e Hungarisë në vitin 2016 Kosovës i kishte ofruar kredi prej 50 milionë eurove me kamatë të vogël dhe me kthim prej një dekade, me kusht që stadiumin ta ndërtojë një kompani hungareze.

Kjo ofertë ishte konsideruar e kënaqshme nga pala kosovare, por edhe turqit ishin të gatshëm të hynin në “lojë”.

Me hapa të breshkës kanë shkuar punimet edhe në stadiumin e qytetit në Prishtinë, i cili nuk është renovuar ende dhe FC Prishtina po shtegton sa në njërin, sa në tjetrin qytet për të luajtur qe dy sezone.

Sherrin mungesës së stadiumit nacional, por edhe atij të qytetit në Prishtinë, ia ka parë edhe Përfaqësuesja e Kosovës, e cila ndeshjet si vendës i zhvilloi në Shkodër.

Cikli i Evropianit 2020 fillon pas një viti, ndërkohë që nuk dihet nëse deri në atë kohë do të nisin punimet në stadiumin nacional. Kur do të përfundojnë ato, vetëm një Zot e di! /Zëri/