Skënderbeu 'lufton' serbët

Sport October 19, 2017 - 15:16
Shqiptarët dhe serbët do të zbresin përsëri në “fushëbetejë”, për herë të tretë brenda tri vjetësh. Skënderbeu do t’i “luftojë” serbët e Partizanit në ndeshjen e fazës së grupeve të Europa Leagues, pas dy dueleve të “nxehta” në mes të dy Kombëtareve. Të dyja palët kërkojnë që kjo ndeshje të ketë vetëm karakter sportiv, duke e lënë nacionalizmin anash. Serbët insistojnë se nuk frikësohen dhe kërkojnë fitore në Elbasan. Trepikëshin e parë e duan edhe korçarët, të cilët mund të llogarisin edhe në premi. “Elbasan Arena” pritet të jetë një arenë e “zjarrtë” sonte

Shqiptarët dhe serbët nuk kanë pasur raporte të mira “hon e don”, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo ishte vërtetuar edhe me përballjet e dy Kombëtareve në eliminatoret e Evropianit 2016, ku urrejtja nacionaliste ishte në kulmin e saj.

Por, këta dy popuj do të ballafaqohen përsëri të enjten, këtë radhë përmes dy klubeve të tyre të njohura, Skënderbeu i shqiptarëve dhe Partizani i serbëve.

Shorti deshi që t’i vë përballë këto dy skuadra në fazën e grupeve të Europa League dhe qysh në atë kohë flitej për dy duele të “zjarrta” në mes tyre.

Tash është koha për “rundin e parë”, i cili do të zhvillohet sonte në “Elbasan Arena”, kurse ndeshja e kthimit më 2 nëntor në Beograd.

Të dyja klubet kanë bërë thirrje për qetësi, pasi duan të luajnë vetëm futboll dhe kanë kërkuar që nacionalizmi të lihet anash në këtë sfidë.

Mirëpo, një gjë e tillë sigurisht se do të jetë e vështirë, duke e pasur parasysh të kaluarën dhe historinë e dy popujve në hasmëri.

Jashanica: Ne kosovarët e ndiejmë më shumë këtë lojë

Tek Skënderbeu luajnë disa futbollistë kosovarë si Bajram Jashanica, Leonit Abazi, Fidan Aliti, Donjet Shkodra, Enis Gavazaj, Suad Sahiti e Shend Kelmendi.

Dhe, për ta kjo ndeshje ka peshë edhe më të madhe, për shkak të luftës së fundit në Kosovë. Mbrojtësi Jashanica e pranon këtë fakt.

“Për ne kosovarët është paksa më ndryshe kjo lojë pasi ende e ndjejmë atë që na kanë bërë serbët. Shpresojmë ta marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë përfaqësuesi kosovar ditë më parë.

Ndërkohë, presidenti i klubit korçar, ‎Ardian Takaj, u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve që ta ruajnë gjakftohtësinë.

“Është vetëm një ndeshje futbolli dhe si e tillë, natyrisht që nuk ka vend për nacionalizëm. Presim shumë njerëz në stadium, që do ta mbështesin ekipin dhe jam i bindur që do të zhvillohet një betejë e bukur, vetëm në aspektin sportiv. Do të kërkojmë ta marrim fitoren e parë në këtë edicion të grupeve në Europa League”, deklaroi presidenti i Skënderbeut.

Serbët: Nuk kemi frikë, duam fitore

Serbët thonë se nuk kanë frikë nga shqiptarët dhe se kanë shkuar në Elbasan për ta mposhtur Skënderbeun.

Ata bëjnë thirrje që kjo lojë të mos marrë kahje tjetër, përpos karakterit sportiv, edhe pse janë të vetëdijshëm se mund të jenë cak i sulmit, në mënyra të ndryshme.

“Në çdo ndeshje që luajmë, jo vetëm në Shqipëri, ne kemi ambient armiqësor. Mirëpo, ne nuk duhet të mendojmë për këtë dhe duhet të fokusohemi vetëm në lojë. Ne i kemi izoluar lojtarët dhe ata nuk do të mendojnë për historinë, nuk do të përzihemi me politikën. Ne nuk merremi me të kaluarën, të tashmen apo të ardhmen. Ne vetëm duam të luajmë futboll”, ka thënë trajneri i Partizanit, Miroslav Djukic.

“Nuk do të jetë e lehtë t’i fitojmë 6 pikë ndaj Skënderbeut, por është e sigurt se ne po shkojmë në Elbasan për ta fituar lojën e parë. Kjo është hera e parë për mua që shkoj në Shqipëri. Kemi mentalitet të mirë dhe nuk kemi frikë. Kjo është një ndeshje kyçe për ne. Ne do të dalim në fushë me mentalitetin e duhur dhe do të mundohemi ta fitojmë ndeshjen”, përfundoi ai.

Edhe kapiteni Miroslav Vulicevic, në emër të futbollistëve, bën thirrje që të mos përzihet politika në sport. Ai ka respekt të madh për kundërshtarin shqiptar.

“Jam i interesuar të bëj vetëm sport. Do të luajmë futboll në Shqipëri, ky është fokusi ynë i vetëm. Nuk dua një diskutim politik. Dëshirë e të gjithë shokëve është që loja të kalojë pa incidente”, shprehet ai. “Skënderbeu është stabil, në përgjithësi fiton dhe luan në mënyrë efikase në shtëpi. Mirëpo, ndryshe është në kampionatin vendor e ndryshe në Evropë. Ne jemi mësuar të luajmë në ritme të tilla dhe duam të fitojmë”, përfundoi ai.

Të dyja klubet kanë ndarë premi për futbollistët në rast fitoreje apo barazimi. Ndërkohë, forcat e sigurisë e kanë “blinduar” qytetin e Elbasanit, në mënyrë që t’i evitojnë incidentet eventuale. /Zëri/

Europa League

E enjte

21:05 Skënderbeu – Partizani