Fitore dramatike e Prishtinës në FIBA Europe Cup

Sport October 18, 2017 - 22:27

Sigal Prishtina e ka siguruar një fitore dramatike në FIBA Europe Cup, ku po merr pjesë për herë të tretë radhazi, shkruan zeri.info.

Bardhekaltrit e kanë mposhtur në udhëtim sonte ekipin Belfius Mons-Hainaut me rezultat të ngushtë, 74:72, në ndeshjen e vlefshme për Grupin G, xhiroja e parë.

Kampioni i Kosovës e ka nisur furishëm lojën, duke e mbyllur çerekun e parë me 8 pikë epërsi, 23:15, ndërsa në atë të dytë e ka ngritur avantazhin, duke e fituar atë 18:14, respektivisht duke shkuar në pushim të gjatë me 12 pikë dallim, 41:29.

Mirëpo, belgët janë këndellur në çerekun e tretë, të cilin e fituan me 10 pikë epërsi, 25:15 dhe me këtë rast rezultati u nivelizua.

Përkohësisht, vendësit kaluan edhe në epërsi, por çereku i fundit u mbyll baras, 18:18, i cili ia lejoi ekipit kosovar ta shijojë fitoren e parë në këtë edicion në këtë eveniment me dy pikë dallim.

Çereku i fundit ishte vërtet dramatik dhe për fat të mirë, prishtinasit festuan në fund. Me lojë të mirë tek prishtinasit u shquan Drilon Hajrizi (14 pikë), Lis Shoshi (14) dhe Alban Veseli (13), kurse tek vendësit lojë të mirë shfaqën Reddic (18) e Jones (15). /Zëri/