Derbi në Madrid

Sport October 17, 2017 - 11:25

Kampioni aktual i Evropës, Real Madrid do ta presë në shtëpi Tottenhamin në ndeshjen kryesore të ditës së sotme në Ligën e Kampionëve. Madrilenët dhe londinezët kanë pikë të barabarta në krye të grupit H dhe kjo sfidë do të jetë gati vendimtare për pozitën e parë. Një tjetër ndeshje interesante pritet të zhvillohet edhe mes dy makinerive të golave si Manchester City dhe Napoli, shkruan sot, gazeta "Zëri".

“Santiago Bernabeu” do të mirëpresë ndeshjen më interesante të ditës së sotme në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Real Madridi do të takohet me Tottenhamin në duelin që do të na tregoj shumëçka për pozitën e parë të këtij grupi. Madrilenët do t’i hyjnë kësaj ndeshje pa të lënduarit Gareth Bale, Dani Carvajal dhe Mateo Kovacic, kurse londinezët do të duhet të bëjnë pa Dele Allin, i cili është njëri prej lojtarëve kyç të skuadrës, ndërsa në dyshim janë edhe Victor Wanyama dhe Moussa Dembele. Klubi mbretëror do të mundohet jashtëzakonisht shumë që të fitoj dhe të shkëputet në krye të grupit, kurse të drejtuarit e Mauricio Pochettinos do të ishin të kënaqur edhe me një pikë të arkëtuar në kryeqytetin spanjoll. Në ndeshjen tjetër të grupit H, Borussia Dortmundi do të kërkoj pikët e para në grup ndaj APOEL Nicosias, e cila ashtu si klubi gjerman numëron zero pikë.

Liverpooli kërkon fitoren e parë

Pas dy barazimeve në ndeshjet e para, Liverpooli do të kërkoj fitoren e parë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në udhëtim te Maribori i Valon Ahmedit. “Të kuqtë” do të duhet të bëjnë pa të lënduarit Sadio Mane, Nathaniel Clyne dhe Adam Lallana, por kjo nuk mund të jetë një arsye për Jurgen Klopp në rast se Liverpooli nuk arrin të fitoj në këtë takim. Në takimin tjetër të grupit, Spartaku i Moskës pret kryesuesin e grupit, Sevilla. Klubi spanjoll do të kërkoj fitoren për të vazhduar kryesimin në grup, kurse rusët do të mundohen që të sigurojnë tre pikët e para pas barazimeve ndaj Mariborit dhe Liverpoolit.

Spektakli na pret në “Etihad Stadium”

Napoli dhe Manchester City, të cilat janë duke shkatërruar çdo ekip që po iu del përpara në ligat e tyre respektive, do të takohen mes veti në kuadër të grupit F. Dy klubet, të cilat kryesojnë në tabelën e ligave të tyre, kanë arritur që së bashku të shënojnë 55 gola nga tetë ndeshjet e para në kampionatet e tyre. Çdo tifoz i futbollit sigurisht që është duke pritur një spektakël golash në këtë takim. Ndërkohë takimi tjetër i grupit F do të zhvillohet mes Feyenoordit dhe Shakhtarit. Klubi holandez do të kërkoj pikët e para pas dy humbjeve ndaj Manchester Cityt dhe Napolit, shkruan Zëri.

Monaco kërkon këndelljen

Gjysmëfinalistja e edicionit të kaluar të Ligës së Kampionëve, Monaco kërkon fitoren e parë këtë sezon. Klubi francez do të jetë nikoqir i Besiktasit, klub i cili kryeson në renditjen e grupit G. Të drejtuarit e Leonard Jardim kanë vetëm një pikë të tubuar nda dy ndeshje dhe renditen në vendin e fundit të grupit. Ndërkohë, Besiktasi, i cili ka fituar dy takimet e para do të kërkoj arkëtimin e tre pikëve ndaj Monacos për të vazhduar ecurinë e mirë. Ndeshja tjetër e këtij grupi zhvillohet në Gjermani mes Leipzigut dhe Portos./Zëri

Liga e Kampionëve

Sonte

Grupi E

20:45   Maribor – Liverpool    

20:45   Spartak – Sevilla         

Grupi F

20:45   Feyenoord – Shakhtar 

20:45   Man City – Napoli       

Grupi G

20:45   Monaco – Besiktas      

20:45   Leipzig – Porto

Grupi H

20:45   APOEL – B. Dortmund                                                           

20:45   R. Madrid – Tottenham