E realizoi ëndrrën

Sport October 13, 2017 - 12:31

Besar Musolli e ka realizuar ëndrrën jetësore. Mesfushori defanziv është ftuar në ndeshjet e fundit të Përfaqësues së Kosovës dhe ky fakt e ka bërë njeriun më të lumtur në botë. Jo vetëm kaq. Përzgjedhësi Albert Bunjaki ia dha rastin të luante nga minuta e parë në ndeshjen me Ukrainën dhe futbollisti i Kukësit u ndie jashtëzakonisht mirë. Ai thotë se më në fund i është shpërblyer mundi dhe sakrifica dhe u shpagua forma e mirë konstante që e pati viteve të fundit, shkruan sot, gazeta "Zëri".

“Jam ndier shumë i lumtur kur e mora ftesën nga selektori pasi në këtë mënyrë u vlerësua puna dhe mundi im gjatë gjithë këtyre viteve. Siç dihet, Kombëtarja për çdo futbollist është kulmi dhe unë po ashtu jam ndier tepër i lumtur dhe krenar”, deklaroi futbollisti kosovar fillimisht për “Zërin”.

“E prisja në çdo moment debutimin tim, por jo edhe të jem nga fillimi. Ka qenë moment shumë i veçantë. Në fakt, nuk di ta përshkruaj shumë mirë këtë, pasi emocionet ishin shumë të mëdha. Deri më tani kjo ishte pjesa më e mirë në futboll për mua”, vazhdoi ai.

Pavarësisht ndërrimit të trajnerit, Musolli thotë se pret që edhe në të ardhmen t’i jepet mundësia për ta përfaqësuar vendin e tij.

“Nëse vazhdoj të kem paraqitje të mira me ekipin dhe të luaj vazhdimisht, normalisht se pres gjithmonë ftesë. Këtë punë e vlerësojnë më së miri trajnerët, por unë gjithmonë do të jem i gatshëm, në çdo moment. Përfaqësuesen e pret një e ardhme shumë e mirë, pasi që ka lojtarë shumë të rinj dhe në moshë shumë të re”, thotë Musolli.

Sa i përket nivelit ekipor, ai thotë se me Kukësin do të vazhdojë çdo ditë të punojë më shumë, po ashtu edhe ekipi, që të përmirësohen dhe të luftojnë për kreun e tabelës, pasi momentalisht kjo skuadër është në vendin e dytë, por kërkon ta mbrojë titullin e kampionit në Shqipëri, shkruan "Zëri".

E në të ardhmen Besari shpreson ta bëjë hapin e radhës, pra të luajë në një ligë më të fortë evropiane. Por, thotë kjo nuk varet vetëm nga ai.../Zëri