'Nxirren' 23 bileta për 'Rusia 2018'

Sport October 12, 2017 - 10:39

23 skuadra përfaqësuese e kanë prerë biletën për në Rusi, ku do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror, i cili do të mbahet vitin tjetër në vendin nga ish-Bashkimi Sovjetik. 10 ekipe nga Evropa e kanë siguruar kualifikimin, ndërsa katër të tjera do t’u bashkohen atyre pas ndeshjeve të “Play-Off”-it. Emrat e 32 pjesëmarrësve të Botërorit do të kompletohen gjatë nëntorit, derisa shorti do të hidhet më 1 dhjetor

 23 skuadra përfaqësuese e kanë siguruar kualifikimin në kampionatin botëror “Rusia 2018”, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndeshjet e zhvilluara në ditët e fundit zbuluan shumëçka rreth emrave të ekipeve të kualifikuara, ndërsa të tjerë presin ta bëjnë të njëjtën gjë në muajin e ardhshëm, dikush përmes kualifikimeve në zonat tjera të botës e ca të tjera të zonës së Evropës përmes “Play-Off”-it.

Gjashtë ekipe do të vendosen nga barazhi, prej tyre katër nga Evropa, ndërsa tri ekipe afrikane do të konfirmohen për pjesëmarrje në Rusi muajin e ardhshëm. Shorti për fazën e grupeve do të hidhet më 1 dhjetor të këtij viti.

Mustafi në Botëror, Zvicra e shqiptarëve shpreson

Shkodran Mustafi është shqiptari i vetëm që e ka të sigurt pjesëmarrjen në “Botërorin 2018” me Gjermaninë.

Ndërkaq, rrugën e tij mund ta ndjekin edhe futbollistët tjerë shqiptarë si: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Valon Behrami, Pajtim Kasami e Blerim Xhemaili në rast se Zvicra arrin ta kalojë fazën e “Play-Off”-it, pasi përfundoi si e dyta në fazën kualifikuese të këtij evenimenti.

Holanda e SHBA-ja, jashtë Botërorit

Dy ekipe solide do t’i mungojnë Botërorit të Rusisë. Holanda nuk arriti të jetë pjesë e këtij evenimenti prestigjioz pasi përfundoi në pozitën e tretë të Grupit A.

Fitorja ndaj Suedisë me rezultat 2:0 në ndeshjen e fundit ishte e pamjaftueshme për “Tulipanët”, të cilët sherri i goldallimit më të dobët se suedezët mbetën pa shkuar në barazh, edhe pse këto dy skuadra përfunduan me pikë të njëjta.

Ndërkohë, për herë të parë që nga viti 1998, jashtë “Rusia 2018” pas më shumë se tri dekadash mbetën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për SHBA-në fatale ishte humbja nga Trinidad e Tobago me rezultat 2:1. Amerikanët mbetën jashtë Botërorit për herë të parë që nga viti 1986.

Si rrjedhojë, Panamaja u kualifikua në Botëror për herë të parë në histori të saj falë golave të Gabriel e Roman Torres.

 “Play-Off”-i në nëntor

Skuadrat përfaqësuese që nuk arritën të kualifikohen direkt në Botërorin e Rusisë e kanë një mundësi të dytë.

Ato përfaqësuese që kanë përfunduar në pozitën e dytë të grupeve në zonën e Evropës do të përballen në mes vete në muajin nëntor.

Në fakt, FIFA ka njoftuar se shorti i “Play-Off”-it do të hidhet më 17 tetor, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen pas afro një muaji.

Më 9-11 nëntor do të luhen ndeshjet e para, kurse ato të kthimit më 12-14 nëntor.

Skuadrat që kanë përfunduar në barazh nga zona e Evropës janë: Zvicra, Italia, Danimarka, Kroacia, Suedia, Irlanda e Veriut, Greqia dhe Irlanda.

Ndërkaq, dy çifte që dihen tashmë nga zonat tjera të botës janë: Peru – Zelanda e Re dhe Australia - Hondurasi.

Plot skuadra ende në “lojë”

Tri grupe afrikane kanë mbetur të vendosen ende.

Tunizia e udhëheq Grupin A me 13 pikë dhe shihet si favorite për të depërtuar nga ky grup, edhe pse rrezikohet nga Republika Demokratike e Kongos, e cila ka 10 pikë. Maroku (9 pikë) dhe Bregu i Fildishtë (8) do të luftojnë për një vend që çon në Botëror nga Grupi C.

Maroku nuk e ka pësuar asnjë gol në pesë ndeshje dhe e ka goldiferencën +9. Të dyja ekipet do të përballen në mes vete më 11 nëntor në Bregun e Fildishtë.

Senegali, që ka 8 pikë, e udhëheq Grupin D, edhe pse janë luajtur vetëm katër ndeshje.

Në “lojë” janë edhe Afrika e Jugut, Burkina Faso e Kepi i Gjelbër.

Pra, edhe gjashtë vende të tjera do të vendosen nga kualifikimet.

Skuadrat e kualifikuara në Botëror

Evropa: Rusia (ekipi mikpritës), Belgjika, Anglia, Franca, Gjermania, Islanda, Polonia, Portugalia, Serbia e Spanja;

Amerika e Jugut: Brazili, Uruguai, Argjentina e Kolumbia;

Amerika Veriqendrore: Meksika, Kosta Rika e Panamaja;

Azia: Irani, Japonia, Koreja e Jugut e Arabia Saudite;

Afrika: Nigeria e Egjipti.

Në “Play-Off” nga zona e Evropës kanë përfunduar: Zvicra, Italia, Danimarka, Kroacia, Suedia, Irlanda e Veriut, Greqia e Republika e Irlandës. /Zëri/