Kjo mund të jetë e ardhmja e Deulofeut

Sport October 11, 2017 - 15:45

Gerard Deulofeu duket se ia ka lënë “ëmbël” Milanit, raporton zeri.info.

Futbollisti ofanziv spanjoll duket se është emri i duhur për “pazarin” e ri të “Rossoneri”.

Nga Spanja vazhdojnë të qarkullojnë zëra rreth mundësisë që futbollisti i krahut të majtë ta lërë Barcelonën qysh në janar, pasi nuk e ka gjetur veten si duhet në “Camp Nou”, ku u rikthyer pas huazimeve të fundit që i pati.

Pavarësisht lëndimit të Dembeles, ish-futbollisti i Evertonit dhe i Milanit nuk po gjen hapësira në ekipin e Valverdes dhe për këtë shitja e tij qysh në afatin e ardhshëm kalimtar duket më shumë se e mundshme.

“El Mundo Deportivo” shkruan se gjiganti katalonjas tashmë e ka vendosur çmimin për futbollistin: afro 20 milionë euro.

Një shumë të cilën Milani është i aftë ta paguajë pasi lojtari kishte impresionuar gjatë periudhës në “San Siro”. /Zëri/