Po shihet e ardhmja e Kosovës

Sport October 11, 2017 - 12:27

Derisa Përfaqësuesja A e Kosovës e mbylli ciklin kualifikues për botërorin “Rusia 2018” pa asnjë fitore, por me vetëm një barazim dhe nëntë humbje rresht, është një grup i futbollistëve të rinj që po i “ngushëllon” “Dardanët”, të cilëve njëkohësisht po u jep shpresë për një të ardhme më të ndritshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Fjala është për ekipin e ri përfaqësues të Kosovës. Skuadra U-19 e Kosovës e ka bërë një hap të madh drejt kampionatit evropian “Finlanda 2018”, shkruan sot gazeta Zëri.

Ekipi i Ramiz Krasniqit e ka kaluar rundin e parë kualifikues, prej gjithsej tre rundeve sa duhet kaluar.

Kosova e kishte nisur me humbje minimale nga Austria ciklin kualifikues, por pastaj arriti t’i shënojë dy fitore ndaj Izraelit (2:1) dhe së fundmi kundër Lituanisë (3:0) për ta shkruar historinë, duke ecur tutje përpara.

Kështu, juniorët kosovarë tani konsiderohen befasia më e këndshme e këtyre kualifikimeve evropiane për faktin se kjo ishte hera e parë e tyre që morën pjesë në një garë të tillë zyrtare.

Por jo vetëm kaq. Djelmoshat e Ramiz Krasniqit arritën këtë sukses të madh pa e zhvilluar asnjë ndeshje testuese paraprake.

“Duhet pasur parasysh se ne këtu jemi pa asnjë ndeshje ndërkombëtare dhe kjo do të thotë shumë. Por, këta djem dhanë maksimumin duke treguar karakter fitues dhe ia arritëm të kualifikohemi për rrethin tjetër, gjë që na pret një punë e madhe”, ka deklaruar përzgjedhësi Ramiz Krasniqi.

Sipas tij, me këtë sukses të arritur Kosova ka shfaqur frymë sportive në kontinentin e vjetër.

“I përgëzoj djemtë për fitoren dhe kualifikimin e Kombëtares për garat e mëtejme. Futbollistët i kanë kryer detyrat me përpikëri. Kemi zhvilluar tri ndeshje jashtëzakonisht të forta dhe arritëm këtë sukses. Ne dëshmuam cilësi, disiplinë dhe frymë sportive”, është shprehur ai.

Futbollistët e rinj të Kosovës e kanë bartur me përgjegjësi të jashtëzakonshme fanellën verdhekaltër, duke e arsyetuar besimin e trajnerit të tyre Ramiz Krasniqit.

Por, më i dalluari prej tyre ishte Leutrim Kryeziu, i cili me katër gola të shënuara ka shpërthyer në rundin e parë eliminator.

“Është një gëzim i madh për të gjithë neve. Ndërsa ndihem i lumtur që unë shënova sërish. I falënderoj bashkëlojtarët për bashkëpunim dhe angazhim”, ka potencuar ai.

Në dallim prej ekipit A përfaqësues, i cili kampanjën kualifikuese për botërorin “Rusia 2018” i mbylli në vendin e fundit në grup, sikurse ekipi U-19 shenja pozitive po jep edhe skuadra U-21 e Kosovës, e cila po merr pjesë në kualifikimet për kampionatin evropian “Italia 2019”. /Zëri/