Hallakamë në volejboll

Sport September 21, 2017 - 11:59

Volejbolli kosovar nuk po arrin assesi të bëhet rehat. Bordi i Federatës së Volejbollit është çuar kundër kryetarit Abedin Ibrahimi, duke dhënë dorëheqje në kërkim të zgjedhjeve të reja. Anëtarët e Bordit të FVK-së akuzojnë për keqmenaxhim, mosraportim karshi tyre nga ana e kryetarit. Ky i fundit ndihet i pastër. Ibrahimi thotë se atyre që janë ngritur në këmbë kundër tij po u pengon rregulli që e ka vendosur në FVK. Ai nuk u frikësohet zgjedhjeve, por thotë se nuk ka nevojë për to, pasi kauza e kundërshtarëve nuk është reale, por tendencioze, shkruan sot gazeta "Zëri"

Volejbolli kosovar hon e don ka pasur probleme në udhëheqësinë e tij. E tash kur dukej se gjithçka është rregulluar dhe është arritur “paqja” në Federatën e Volejbollit të Kosovës është prishur qetësia.

Madje, kjo qetësi po del të ketë qenë e brishtë, pasi problemet brenda Federatës kishin ekzistuar që prej emërimit të Abedin Ibrahimit për kryetar të këtij institucioni.

Dhe situata ka eskaluar të mërkurën, kur pjesa dërrmuese e Bordit të FVK-së e ka ofruar dorëheqjen, duke përfshirë këtu nënkryetarët dhe anëtarët. Në mesin e të dorëhequrve është edhe sekretari i deritashëm i Federatës, Blerim Gërguri.

Njëzëri ata konsiderojnë se në FVK ekzistojnë parregullsi të shumta, të cilat u kanë ardhur në maje të hundës dhe që i kanë çuar deri tek marrja e këtij vendimi.

Janë plot shtatë anëtarë të Bordit që e kanë nënshkruar dorëheqjen e tyre.

“Duke e marrë parasysh gjendjen e krijuar në Federatën e Volejbollit të Kosovës: keqmenaxhimit të Federatës mosraportimit, mospërfilljes së Bordit nga ana e kryetarit të Federatës, ne anëtarët e Bordit të FVK-së, pas shtjellimit të gjendjes së krijuar në Federatë në përgjithësi, japim dorëheqje nga pozitat të cilat i kemi parë të Bordit të FVK-së”, shkruan në vendimin e anëtarëve të Bordit, të cilët janë si vijon: Blerim Gërguri, nënkryetar i Bordit të FVK-së, Feime Shala (nënkryetare e Bordit), Abedin Mehani (anëtar i Bordit), Kristina Lazri (anëtare e Bordit), Alban Brajshori (anëtar i Bordit), Naim Lakna (anëtar i Bordit) e Milot Podvorica (anëtar i Bordit).

Kërkojnë zgjedhje të reja

Ndërkohë, ata vlerësojnë se vendimi i tyre do t’ua mundësojë që ligjërisht ta kërkojnë mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor. Përndryshe, e kanë propozuar edhe një Këshill të Përkohshëm Udhëheqës, duke mos e përfillur kështu më kryetarin aktual, Abedin Ibrahimi.

“Konform Nenit 20, pika 4, e Statutit të FVK-së, pas dorëheqjes së të gjithë anëtarëve të Bordit, ose shumicës së saj, Federata shkon në zgjedhje për organet e reja udhëheqëse të Bordit të FVK-së. I njëjti Nen obligon që të formohet këshilli i përkohshëm udhëheqës nga delegatët e Kuvendit. Mirëpo, duke e pasur parasysh që Kuvendi zgjedhor do të mbahet brenda 10 ditësh, propozojmë këta anëtarë për Këshill të Përkohshëm udhëheqës: Abedin Mehani, Feime Shala, Bahri Gjinovci, Xhavit Mustafa e Kristina Lazri.

Ibrahimi: Nuk befasohem, atyre u pengon ecja përpara e volejbollit

Kryetari Abedin Ibrahimi shprehet se nuk është befasuar me vendimin e anëtarëve të Bordit. Ai i hedh poshtë akuzat që i janë mveshur, duke e konsideruar veten të pastër. Madje është gati që të përballet me ta edhe ligjërisht, por edhe të shkojë në zgjedhje nëse është nevoja. Ai madje e ka hedhur topin tek akuzuesit, për të cilët thotë se po u pengon ecja përpara e volejbollit kosovar.

“Nuk kemi biseduar me ta për këtë punë, edhe pse nuk më befason ky vendim i tyre. Brenda Bordit ka pasur njëfarë ftohje raportesh. Unë them me plot bindje dhe me siguri se në FVK nuk ka pasur keqmenaxhim e as keqpërdorime. Ekzistojnë procedurat ligjore nëse dikush ka ndonjë dyshim. Unë jam i gatshëm të shkojmë edhe në zgjedhje, edhe pse konsideroj se ato nuk janë të nevojshme”, thotë fillimisht kreu i FVK-së për “Zërin”.

“Në FVK është punuar aq mirë sa që dikujt nuk po i konvenon ecja e volejbollit përpara, pasi janë mësuar të bëjnë gjëra të tjera, të cilat unë nuk i kam lejuar. Ata kanë vepruar me nguti. Unë jam në zyrë dhe do ta vazhdoj punën time”, vazhdoi Ibrahimi.

Me gjasë, brenda një periudhë të shkurtër, në Federatën e Volejbollit të Kosovës do të mbahet Kuvendi Zgjedhor./Zëri