Kështu e komendon trajneri Kandemir humbjen e Sigal Prishtinës

Sport September 19, 2017 - 21:07

Sigal Prishtina e ka nisur me humbje eksperiencën në Ligën e Kampionëve, shkruan zeri.info.

Bardhekaltrit janë mposhtur në shtëpi nga skuadra bjelloruse, Tsmoki Minsk me rezultat 50:57, në një ndeshje ku të dyja skuadrat u karakterizuan me mbrojtje të fortë.

Prishtinasit mund të mburren me mbrojtjen e “çeliktë”, por dështuan në sulm, duke gabuar shpesh në tentimet e tyre, nga të gjitha pozitat. Madje, ata ishin dizastër në çerekun e dytë, ku shënuan vetëm tri pikë, krahas 15 pikëve të marra, ndërkohë që nuk ishin aspak më mirë as në periudhën e tretë, ku realizuan vetëm 7 pikë, e morën 9.

Skuadra më e madhe kosovare e nisi mirë lojën, duke e fituar 10 minutëshin e parë, 23:21, por më pas pati rënie. E avantazhi i çerekut të katërt prej pesë pikësh, 17:12, ishte i pamjaftueshëm për ta.

“Më vjen keq që nuk i gëzuam tifozët tanë, që ishin të zëshëm dhe e merituan një fitore. Ne bëmë punë të mirë në mbrojtje, por nuk ishim të mirë në ofanzivë. Donim ta fitonim lojën, por nuk ia dolëm. Nuk ka pardon për këtë. Jemi 7 pikë prapa dhe nuk është e pamundur ta kthejmë rezultatin”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i prishtinasve, turku Ahmet Kandemir. /Zëri/