Genoa ia mësynë Kosovës te FC Prishtina

Sport July 26, 2017 - 13:06

Pas paraqitjes në kualifikimet e Europa Leagues, FC Prishtina ka shans të mirë që të përmendet sërish jashtë Kosovës. Bardhekaltërve u është ofruar një mundësi e mirë për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me njërin prej klubeve më të vjetra dhe më të famshme italiane.

Genoa është klubi që ka shprehur gatishmërinë për të zbarkuar në Kosovë para publikut kosovar për ta takuar klubin më të madh të vendit tonë, raporton "Zëri.info" 

Lajmin e ka bërë të ditur FC Prishtina, e cila të mërkurën njoftoi se italianët i kanë kërkuar takim miqësor më 5 ose 6 gusht. Ndërsa, i mbetet Bordit të klubit bardh e kaltër për t’i kthyer përgjigje klubit nga Serie A.

“Përmes një shkrese dërguar kryetarit tonë, Remzi Ejupit, Genoa CFC e ka shprehur gatishmërinë për të zbarkuar në Kosovë për ta zhvilluar një miqësore me skuadrën tonë bardh e kaltër me datën 5 ose 6 gusht”, thuhet në njoftimin e FC Prishtinës, e cila ndihet e nderuar nga Genoa. “Me këtë rast, FC Prishtina ndihet e nderuar dhe shumë e respektuar nga klubi i famshëm italian, nëntë herë kampionia e Italisë. Sigurisht se Bordi i FC Prishtinës do ta shqyrtojë këtë kërkesë të italianëve dhe brenda javës sigurisht se do t’i kthejë përgjigje”, theksohet në njoftim. /Zëri/