​Blearta Ukëhaxhaj bart flamurin shtetëror në ceremoninë hapëse të EYOF “Gyor 2017”

Sport July 23, 2017 - 15:52

Tenistja Blearta Ukëhaxhaj do të bartë flamurin shtetëror të Kosovës në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, që do të bëhet sonte në stadiumin “Eto Park” të Gyorit, duke filluar prej orës 20:30

Kosova kështu do të jetë pjesë e 49 shteteve tjera të Evropës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Blearta Ukëhaxhaj është përzgjedhur ditë më parë nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, duke i prirë kështu ekspeditës 20 anëtarëshe të ekipit olimpik të Kosovës, transmeton Koha.net.

“15-vjeçarja, Ukëhaxhaj, është tenistja më e mirë në Kosovë në dy vitet e fundit për grupmoshën e saj, derisa vitin e kaluar arriti të renditet e 288-ta në renditjen botërore, arritja më e madhe për një teniste shqiptare”, thuhet në komunikatë.

“Është ndjenjë shumë e veçantë dhe gëzohem që ma kanë besuar këtë mundësi. Besoj se nuk do t’i zhgënjej as në gara”, u shpreh tenistja nga Deçani.

Në ceremoninë mbyllëse që mbahet më 29 korrik, bartës i flamurit do të jetë njëri nga dy xhudistët, Laura Fazliu ose Shpat Zekaj. Të dy i bashkohen ekipit olimpik pas disa ditësh, pasi ndodhen në përgatitje shtesë me trajnerin, Driton Kuka. /Express/