Kapiteni i Norrkopingut: Gjithçka mund të ndodhë me Prishtinën, por duam të shkojmë larg

Sport June 28, 2017 - 19:28

Vitin e kaluar Norrkopingu ishte ndalur në rrethin e parë kualifikues. Ndërkaq, këtë vit kapiteni Andreas Johansson dëshiron që ekipi të shkojë më larg, raporton zeri.info.

“Do të jetë zbavitëse të luajmë përsëri në Evropë. Jemi të nderuar që marrim pjesë në këtë turne dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundshme për të shkuar përpara”, deklaroi ai në konferencë për shtyp.

Futbollisti suedez e sheh mjaft të rëndësishme ndeshjen e parë, për ta marrë avantazhin para lojës së kthimit, që luhet pas një jave në Mitrovicë.

“Gjithçka mund të ndodhë. Është e rëndësishme që ta marrim me seriozitet këtë lojë. Nuk ka rëndësi se cila skuadër është kundërshtare dhe në çfarë niveli është. Nuk ka rëndësi çka thonë shifrat”, vazhdoi ai.

“Është e rëndësishme të fokusohemi në këtë lojë dhe ta japim maksimumin”, nënvizoi Johansson.

Sipas tij, kualifikimi në Evropë ishte mjaft i vështirë, prandaj shpreson që suedezët të qëndrojnë sa më gjatë në këtë garë, përcjellë zeri.info.

“Kemi luftuar shumë vitin e kaluar dhe tash jemi këtu. Natyrisht, do të ishte e bukur të shkojmë sa më larg në Evropë”, përfundoi futbollisti suedez.

Ai thotë se Norrkopingu do të mundohet t’i arrijë ndeshjet e vështira, ato që kanë peshë dhe për t’i gëzuar kështu si Federatën e Futbollit të Suedisë, ashtu edhe tifozët e vet. /Zëri/