FFK-ja e pranon: Kosova e dobët!

Sport June 22, 2017 - 11:40

Federata e Futbollit të Kosovës është shprehur hapur edhe zyrtarisht të mërkurën se është e pakënaqur me rezultatet dhe paraqitjet e Përfaqësueses së Kosovës.

Verdhekaltrit këtë muaj e pësuan humbjen e pestë në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, duke u mposhtur 1:4 në Shkodër nga Turqia, shkruan zeri.info.

Dhe, duket se tashmë kupa është mbushur dhe shtëpia e futbollit kosovar, që i jepte vazhdimisht mbështetje Përfaqësueses dhe trajnerit Albert Bunjaki, tash ka qëndrim ndryshe.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, i mbledhur të mërkurën, ka thënë se do të merren masa për të dalë nga kjo gjendje, por nuk ka saktësuar se çfarë masash do të merren ose nëse kanë të bëjnë apo jo me shkarkimin e trajnerit Bunjaki.

“KE-ja shqyrtoi dhe analizoi ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës, si dhe rezultatet e arritura dhe pas shumë diskutimeve konstatoi se me gjithë angazhimin dhe pengesat e natyrave të ndryshme të ekipit përfaqësues nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura, ndaj në ditët në vijim KE-ja do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të dalë nga kjo gjendje me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendjeje”, njofton shtëpia e futbollit kosovar.

Gjithashtu, në mbledhje u diskutua edhe për çështje tjera. KE-ja e FFK-së edhe një herë konstatoi përmbylljen me sukses të garave të të gjitha rangjeve, konkurrencave dhe grupmoshave të reja.

Po ashtu, KE-ja shqyrtoi edhe përgatitjet që po bëhen për fillimin e edicionit të ri i cili fillon më 19 gusht dhe konstatoi se gjithçka po shkon sipas dinamikës së paraparë.

Në mbledhjen e djeshme edhe një herë u theksua nevoja e funksionalizimit të lidhjeve rajonale të futbollit dhe aftësimit të zyrtarëve të klubeve, për çka janë duke u mbajtur seminare për regjistrimi i futbollistëve online (“FIFA Connect Platform”). /Zëri/