Feston Liria, këto dy ekipe mbesin në barazh

Sport May 28, 2017 - 18:27

Festë nuk pati vetëm në Mitrovicë, ku Trepça ’89 e festoi titullin e kampiones. Festë pati edhe në Prizren, ku Liria e ka deklasuar Hajvalinë, duke e mposhtur me rezultat 9:1. Kjo fitore ia siguroi ekipit prizrenas mbijetesën në Superligë, përkatësisht ia shmangi barazhin, i cili i ka rrezikuar bardhezinjtë gjatë gjithë sezonit, raporton "Zëri".

Drita në barazh

Drita ka shënuar fitore ndaj Besës me rezultat 2:0, por ajo nuk i ka mjaftuar për t’i ikur barazhit, pasi Liria nuk gaboi në shtëpi. Kështu, gjilanasve u mbetet që mbetjen në Superligë ta kërkojnë pas pak ditësh në duel me ekipin e Ligës së Parë, Dukagjinin, shkruan "Zëri". 

Ferizajt i mbetet të kërkojë fitore në barazh

Ferizaj qysh më herët i ka humbur gjasat për t’i ikur barazhit, kështu që humbja nga Llapi prej 1:2 nuk ndikoi asgjë në pozicionin e tij. Ferizajasve, të cilëve nuk u kryen punë investimet e mëdha pranverore, u mbetet që mbetjen në Superligë ta kërkojnë në barazh me ekipin e Ligës së Parë, Vllazninë.

Prishtina e mbyll me fitore

FC Prishtina e ka shënuar fitoren e dhjetë në njëmbëdhjetë xhirot e fundit. Nënkampionët e Kosovës të dielën e mposhtën në udhëtim Drenicën me rezultat 1:3. Mankenda i realizoi dy gola, kurse Khalid e shënoi një tjetër për Prishtinën, ndërsa Leci e humbi një penallti. /ZËRI/