Ja si mbrohen futbollistët nga Federata e Shqipërisë

Sport April 21, 2017 - 15:21

Federata Shqiptare e Futbollit i hoqi 6 pikë Flamurtarit sepse klubi nuk kish shlyer detyrime të prapambetura për disa futbollistë.

Ishte hera e parë që institucioni i futbollit vendosi një standard të tillë dhe me gjithë argumentet pro dhe kundër tij, ishte një vendim që u respektua. Sot, vlonjatët kanë 6 pikë më pak dhe rrezikojnë seriozisht mbijetesën.

Deri këtu në rregull gjithçka, fundja ka gjithnjë një herë të parë. Çështja është që në bazë të këtij standardi të ri, federata nëse është e bindur se po vepron drejt dhe se kërkon të vërë rregull në një kampionat të mbushur me halle të mëdha financiare, atëherë duhet t’i shkojë deri në fund.

Po, sepse gjyqi i Ernest Gjokës ka përfunduar në të gjitha shkallët sportive në vendin tonë dhe duke qenë se Flamurtari as e ka apeluar dhe as ka ndër mend ta apelojë në KAS-in e Lozanës, atëherë rrjedhimisht duhet që FSHF-ja t’i heqë edhe 12 pikë Flamurtarit për rast të përsëritur. Kështu e përcakton rregullorja. Nëse e bën këtë do t’i rrëzojë vlonjatët nga kategoria. Nëse nuk e bën, duhet t’i kthejë 6 pikët që i hoqi pak kohë më parë dhe të kërkojë ndjesë publikisht që i futi në një stres të paparë të gjithë te Flamurtari.

Sepse rregullat duhet të jenë të barabarta për të gjithë dhe jo vetëm për ata që nuk i binden FSHF-së. U bënë muaj që çështja “Gjoka” qëndron si hanxhar në formë presioni për vlonjatët. Dhe tani mbërrijmë në një situatë paradoksale, sepse FSHF sot gjendet mes dy zjarreve pikërisht për çorbën që ka gatuar vetë. Do t’i duhet të marrë një vendim. Nëse nuk e bën, thjesht do të ishte turpi i radhës…