Shuhet ëndrra e Pejës

Sport March 29, 2017 - 20:53

Peja e ka lëshuar mundësinë e artë për t’u kualifikuar në finale të Ligës Ballkanike për herë të parë në histori të saj, shkruan zeri.info.

Verdhezinjtë e kishin fituar lojën e parë gjysmëfinale në Pejë me rezultat 83:79 dhe shkuan në Maqedoni për ta ruajtur këtë kapital të vogël ndaj Kumanovës, por një gjë të tillë e bënë vetëm në tre çerekë lojë, pasi ata u dorëzuan në atë të katërt dhe vendimtar, duke humbur në fund me gjashtë pikë disavantazh, 86:80.

Peja e mbylli çerekun e parë me epërsi shtatë pikëshe, 25:18, ndërsa ai i dytë ishte i barabartë, 19:19.

Në 10 minutëshin e tretë, kumanovarët ishin paksa më të mirë, 24:21, por prapë pejanët në ato momente ishin me një këmbë në finale.

Mirëpo, si në ndeshjen e parë në Kosovë, edhe në atë në Maqedoni, fatale për pejanët ishte periudha e fundit.

Atë e fituan maqedonasit 25:15 për të shkuar në finale. 21 pikët e Slobodan Miljanic, 20 të Noah Dahlman dhe 18 të Alban Veselit, nuk ishin të mjaftueshëm për Pejën, e cila megjithatë ishte skuadra e vetme kosovare që shkoi deri në këtë fazë. /Zëri/