Thaqi emërohet trajner i Prishtinës, Lindemann mbetet drejtor sportiv

Sport March 29, 2017 - 12:21

Bordi i FC Prishtina ka vendosur që të emëroj kryetrajner, menaxherin e deritanishëm të Shkollës së futbollit FC Prishtina, Arsim Thaqi. Thaqi e njeh skuadrën e Prishtinës, është në klub tani e një vit dhe ka kontratë me klubin tonë edhe një vit tjetër, ndërsa ka licencën UEFA Profi. Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetrajnerit deri tani, Lutz Lindemann, mbetët drejtor sportiv i FC Prishtina.

Thaqi: Vështirë të bësh karrierë në këtë moment – përparësi se e njoh ekipin

“Për mua pak është befasi ky emërim, sepse faktikisht unë kam pasur një marrëveshje me Prishtinën që të jem një lloj menaxheri që nga Shkolla deri te ekipi i parë, sidomos me zhvillimin e të rinjve. Realisht, duke u bazuar edhe në kontratën dyvjeçare që kam me Prishtinën, klubi e ka paraparë që unë të jem pjesë e Prishtinës dhe që në fund të sezonit të analizojmë problemet që kemi pasur, si dhe nivelin e lojtarëve dhe gjërat që duhet ndryshuar për të ardhmen.  Pra, sipas klubit, person adekuat kam qenë unë dhe mbase jam trajner me fat në këtë moment. Por, është edhe një sfidë dhe rrezik përshkak se në këto rrethana për të ndërtuar karrierë është pak e vështirë, sepse kur e merr ekipin nga fillimi janë rrethana dhe gjëra krejt duke e përgatitur ekipin në filozofinë që ka trajneri. Por, po ashtu, është përparësi, sepse unë kam qenë afër, këtu në klub, duke parë të gjitha ndeshjet, duke i njohur të gjithë futbollistë”, ka thënë shefi i ri i shtabit teknik, Arsim Thaqi

Mos ta humbim asnjë ndeshje

“Ne kemi 11 ndeshje deri në fund. Çka është më rendësi është që ne ta vazhdojmë punën, të kthejmë atmosferën, nëse veç ajo është luhatur përshkak rezultateve të fundit. Por, unë kam besim në grupin që do ta presin ndryshimin dhe normal do të provoj të mos humbas asnjë ndeshje deri në fund të sezonit. Pra, ky është synimi, edhe pse fundi nuk i dihet, që mos ta humbim asnjë ndeshje”, ka përfunduar kryetrajneri, Arsim Thaqi.

Arsim Thaqi, 45 vjeçar, ka lindur në Mirushë të Malishevës më 25.05.1971, ndërsa nga viti 1990 jeton në Prishtinë. Është magjistër i shkencave sportive, ndërsa është i pajisur me “UEFA-Pro”-licencë në Tiranë, Shqipëri. Ka punuar për kohë të gjatë në 2 Korrik të Prishtinës si trajner, kurse në edicionin vjeshtor të edicionit 2015/15 ka prirë Trepçës ’89. Ndërsa më parë ka udhëhequr edhe KEK-un në Superligë.

Lindemann: Zgjedhja më e mirë për klubin

“Mendoj se në këtë moment është zgjedhja më e duhur për ekipin, për klubin. Ne të gjithë trajnerët këtu kemi punuar dhe punojmë për Prishtinën dhe jo për vete. Besoj se ekipi me trajnerin e ri do të fitoj impuls që të vazhdoj suksesshëm deri në fund të kampionatit. Jam shumë i sigurt që kemi bërë shumë punë të madhe dhe skuadra do të fitoj gjak të ri dhe kam besim po ashtu që kjo do të vërehet që nga ndeshja e ardhshme”, ka thënë drejtori sportiv, që deri më tani ka ushtruar edhe detyrën e kryetrajnerit, Lutz Lindemann. /Zëri/