11 gabimet e Manchester Unitedit

Sport March 28, 2017 - 15:35

Zyrtarët e Manchester Unitedit nuk kanë pasur durim me disa ish-futbollistë të tyre, të cilët shkëlqimin e arritën vetëm pas largimit nga “Old Trafford”

Ka pasur raste kur kryesia e klubit është detyruar t’i rikthejë në skuadër për shuma marramendëse parash, siç është rasti me Paul Pogban, shkruan sot gazeta Zëri.

Jaap Stam (u shit te Lazio në vitin 2001 për 16.5 milionë funte)

Ndër gabimet më të vjetra tek United është rasti kur u shit Jaap Stam. Holandezi i kaloi tre vjet në “Old Trafford”, ndërsa më vonë vetë Alex Ferguson e pranoi se ka bërë gabim që e shiti te Lazio. Unitedit iu deshën tre vjet për ta gjetur zëvendësuesin adekuat.

Diego Forlan (u shit te Villareali në vitin 2004 për 2 milionë funte)

Kur arriti në “Old Trafford” ishte anonim, ndërsa pas 27 ndeshjeve pa shënuar gol dukej se do të largohej shpejt. Aty i zhvilloi 98 ndeshje, i shënoi 17 gola e pastaj u zhvendos në Spanjë ku e pati u “eksplodimin” e vërtetë. Aty u bë golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll, ndërsa më vonë shkëlqeu edhe te Atletico Madrid, e në vitin 2010 u shpall edhe futbollisti më i mirë Kupës së Botës.

Giuseppe Rossi (u shit te Villarreali në vitin 2007, shuma nuk u bë publike)

Në “Old Trafford” i luajti vetëm në 14 ndeshje për seniorët para se të bashkohej me “Nëndetësen e Verdhë”. Në katër vjetët në vazhdim dëshmoi se Unitedi kishte gabuar përsëri. Për Villarrealin i shënoi 77 gola dhe pritej të bëhej njëri nga sulmuesit më të mirë në Evropë, por nuk e lejuan lëndimet e shumta.

Gerard Pique (u shit te Barcelona në vitin 2008 për katër milionë funte)

Ndoshta është gabimi më i madh i Alex Fergusonit. Pique arriti si tinejxher nga Barcelona dhe mund të ishte pasardhës i denjë i Rio Ferdinandit ose Vidiqit. Mirëpo, ai u kthye në Kataloni ku nën urdhrat e Pep Guardiolas u shndërrua ndër mbrojtësit më të mirë në botë.

Paul Pogba (u shit te Juventusi në vitin 2012 si futbollist i lirë)

Është një tregim që e dinë të gjithë. Pogba kishte talent, kjo dihej, por Ferguson nuk i besoi. Lejimi për të shkuar te Juventusi pasi i skadoi kontrata u shndërrua në histori. Te skuadra italiane u shndërrua në njërin nga mesfushorët më të mirë në botë. Ai gabim u pagua në verën e kaluar, madje për shumën rekorde prej 105 milionë euro.

Jonny Evans (u shit te West Brom në vitin 2015 për 8 milionë funte)

Duhej të ishte zëvendësim për Ferdinandin dhe Vidiqin. E pati rastin, por nuk e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë. Më vonë u bë e qartë se Manchester duhej të priste edhe pak, pasi Evans më vonë luajti në nivel shumë të lartë.

Danny Welbeck (u shit tek Arsenali në vitin 2014 për 16 milionë funte)

Mendohej se është ndër sulmuesit më perspektivë në Angli, por dëshira e zyrtarëve për të arritur sa më parë rezultatet bëri që Welbeck të ishte i tepërt. Në kohën kur ishte i rregullt në kombëtaren angleze, u shit tek Arsenali.

Patrice Evra (u shit te Juventusi në vitin 2014 si futbollist i lirë)

Nuk ka dyshim se United shumë herët hoqi dorë nga shërbimet e tij. Ashtu si Pogba, kaloi te Juventusi pa dëmshpërblim, ndërsa me “Zonjën e Vjetër” e fitoi kurorën e dyfishtë në Itali, ndërsa luajti edhe në finale të Ligës së Kampionëve.

Javier Hernandez (u shit te Bayer Leverkusen në vitin 2014 për 7.3 milionë funte)

As sot e kësaj dite nuk dihet pse United e shiti Chichariton. Meksikani gjithmonë ishte i frytshëm, një “xhoker” i vërtetë, por duket se zyrtarët donin diçka më tepër. E shitën te skuadra e parë që u bëri ofertë, ndërsa ai te Leverkusen u bë ndër sulmuesit më të mirë në Gjermani, po ashtu po shkëlqen edhe në kombëtaren meksikane.

Angel Di Maria (u shit te PSG në vitin 2015 për 45.7 milionë funte)

Di Maria nuk shkëlqeu në Angli dhe për këtë arsye u shit sapo arriti oferta serioze. Mirëpo, edhe zogjtë në qiell se çfarë fsheh në këmbët e tij argjentinasi i shkëlqyeshëm.

Michael Keane (u shit te Burnley në vitin 2013 për 2 milionë funte)

I dalë nga Akademia e Unitedit, por nuk arriti të fitojë rastin në konkurrencën e seniorëve. Për këtë arsye u shit te Burnley ku bëri një punë të shkëlqyeshme. /Zëri/