Mediat italiane: FSHF, masa ndaj shkaktarëve të trazirave

Sport March 26, 2017 - 22:21

Shqipëria nuk është ai grup i vogël tifozësh që tentuan të prishnin imazhin e një vendi në sytë e Italisë dhe botës. Kjo ka qenë kryefjala gjatë ditëve të fundit në mediat e të dyja vendeve.

Asgjë nuk mund ta prishë atë mesazh të qartë që tifozët shqiptarë dhanë në Evropian sepse një vend nuk mund të përfaqësohet nga një pakicë njerëzish që në asnjë rrethanë nuk mund të cilësohen si tifozë të Kombëtares.

Mesazhi i dhënë nga vendi ynë, por edhe “falja” e kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe masat e marra prej saj, kanë gjetur një hapësirë të madhe edhe në mediat e vendit fqinjë.

Prestigjiozja “Corriere Dello Sport” përqendrohet te deklarata e FSHF-së dhe vendimi për të përjashtuar përgjithmonë nga stadiumet tifo grupin “Ilyrian Elite”, shkruan Super Sport.

Sipas kësaj gazete, institucioni më i lartë i futbollit shqiptar është distancuar menjëherë dhe përveç faljes, është vënë menjëherë në lëvizje në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

Ndërkohë, faqja më e klikuar në vendin fqinjë, “Repubblica.it” që përveç masave të marra nga FSHF, thekson se ngjarja e Palermos hidhëroi shumicën e rreth 10 mijë tifozëve shqiptarë të pranishëm në “Renzo Barbera” të cilët shpresuan që të përsëritej edhe një herë mbrëmja magjike e Genoas.