Hysaj: Jemi ende në garë për vendin e dytë, luajmë për fitore

Sport March 22, 2017 - 15:45

Mbrojtësi i djathtë i kombëtares shqiptare dhe Napolit, Elseid Hysaj, ka dalë sot në konferencë për shtyp në kuadër të ndeshjes së radhës ndaj Italisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”.

Ai tha se kuqezinjtë vazhdojnë të jenë në garë duke qënë se përpara janë dhe 6 ndeshje për t’u zhvilluar, ndaj në Itali do të kërkohet fitorja për të patur shanse për vendin e dytë.

Sa i përket lodhjes fizike si pasojë e aktivizimit në çdo ndeshje me Napolin, Hysaj u shpreh se gëzon një formë të mirë dhe ndjen kënaqësi që luan gjithnjë.

Një derbi ndaj Italisë?

“Besoj që po, jo vetëm për mua por për të gjithë. Shqipëri-Itali kemi qënë gjithnjë afër sepse shumë shqiptarë kanë jetuar në Itali, ndaj do të jetë një ndeshje e bukur, si derbi, për ne dhe për Italinë.”

Përballja me shokun e skuadrës te Napoli, Insinjen

“Kemi bërë disa shaka për këtë ndeshje. Mbas ndeshjes me Empolin jemi përshëndetur dhe i thashë: ‘Jemi kundërshtarë tani, s’do flasim më.’ Do jetë një ndeshje e bukur si për mua, si për të, sepse mund të ndodhë që ai të sulmojë në krahun tim dhe do më duhet ta mbroj unë.”

Vështirësia për të ndalur Insinjen

“E dinë të gjithë që është një lojtar shumë i mirë që po rritet çdo ditë. Do të jetë e vështirë ta bllokojmë, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën siç kemi bërë ndaj të gjithë lojtarëve.”

Mundësitë për rezultat pozitiv

“Besoj që kemi gjithnjë mundësi për të marrë rezultat pozitiv. E pamë në ndeshjen Maqedoni-Itali që Maqedonia luajti shumë mirë dhe i pati mundësitë të merrte një rezultat pozitiv. Thjesht duhet të jemi më të kujdesshëm në mbrojtje dhe të sulmojmë më mirë.”

Diferenca e cilësisë së lojtarëve

“Futbolli tani është në nivele të njëjta. Thjesht janë disa lojtarë që mund të bëjnë diferencën, por e kemi parë në shumë ndeshje që nuk dallohet diferenca e lojtarëve kampionë me ata që luajnë në kategori më të ulëta. Si shembull është ndeshja Maqedoni-Itali që e thashë dhe më parë. Besoj që do jemi gati dhe do jetë një ndeshje shumë e bukur.”

Stadiumi i Palermos dhe atmosfera

“Stadiumi është shumë i bukur dhe fusha besoj që do jetë shumë e mirë sepse s’ka luajtur as Palermo. Shpresoj thjesht të jenë shumë shqiptarë të pranishëm për të na mbështetur siç kanë bërë gjithmonë. Besoj se do e gjejnë mënyrën për të ardhur në Palermo dhe do të kënaqen.”

Italia më e fortë në sulm, siç luan me Venturën, apo në mbrojtje siç ka luajtur më parë

“Ne duhet të mendojmë si të mbrohemi vetë, pastaj Italia mund të bëjë më mirë duke sulmuar apo duke mbrojtur, kësaj nuk i dihet. Ato janë skemat e trajnerëve të tyre, por besoj që mirë apo keq, ne e dimë çfarë vlerash kanë dhe ua njohim lojtarët. Besoj se do jemi të përgatitur dhe do i kemi marrë masat për çfarëdolloj mënyre që ata do luajnë.”

Shanset për kualifikim pas humbjes me Izraelin

“Nuk kemi dalë ende nga gara sepse janë edhe 6 ndeshje dhe nuk i dihet si do shkojnë. Me Izraelin ishte një ndeshje që na shkoi keq, por besoj që me ndihmën e trajnerit dhe stafit e kemi marrë veten. Jemi duke u përgatitur mirë sepse të gjithë lojtarët janë profesioniste. E kemi kuptuar ku kemi gabuar dhe besoj do të japim më të mirën në fushë që gjithçka të shkojë mirë.”

Mungesat e shumta dhe objektivi në këtë ndeshje

“Mungesa kemi patur edhe më parë dhe gjithmonë kam thënë që kushdo që do luajë do të japë 100 përqind dhe do tregojë vlerat e vetes. Ne do shkojmë të luajmë për rezultat pozitiv, jo thjesht për një barazim. Në futboll të gjithë luajnë për fitore dhe për më tepër duhet të fitojmë për të arritur vendin e dytë.”

Lodhja fizike si pasojë e aktivizimit në çdo ndeshje me Napolin

“Për mua është një kënaqësi që në moshën 23-vjeçare të luaj të gjitha ndeshjet në Serinë A dhe në Ligën e Kampionëve. Për mua nuk ka lodhje dhe vij me gjithë qejf në kombëtare. Do jap maksimumin dhe më shumë nëse mundem për shtetin tim. Nuk ndiej lodhje dhe jam në formë të mirë. Besoj që të gjithë çunat janë në formë dhe edhe pse kanë luajtur pak, besoj që do japin 100 përqind kur të futemi në fushë, më pas të shohim si do mbarojë ndeshja.”