Familja 'Dardane', për fillim super

Sport March 22, 2017 - 11:04

Përfaqësuesja e Kosovës të martën e zhvilloi seancën e parë stërvitore për ndeshjen e së premtes kundër Islandës. Krahas ushtrimeve reprezentuesit tanë kënaqeshin në Drenas. U kanë mjaftuar më pak se 24 orë për t’u lidhur sikur familjarisht me tri ardhjet e reja - Atdhe Nuhiun, Donis Avdijajn dhe Besart Berishën. Madje, këtë të fundit të gjithë kishin filluar ta thërrisnin “baxhanak”, ani pse sulmuesi i famshëm baxhanak e ka vetëm kapitenin Samir Ujkani. Berisha shfaqi klasin. Me fjalë tjera, shenja pozitive nga forma dhanë të gjithë futbollistët. Përkundër konkurrencës së fortë që është krijuar ndërmjet tyre, për ta më e rëndësishme mbetet Kosova

“O baxhanak”...! Kështu e thërrisnin thuajse të gjithë futbollistët e Kosovës Besart Berishën, të porsaardhurin në përfaqësuesen kosovare, shkruan sot gazeta Zë.

Skuadra e Albert Bunjakit të martën e zhvilloi seancën e parë stërvitore në Drenas në prag të ndeshjes së radhës kualifikuese të Botërorit “Rusia 2018” të cilën do ta zhvillojë të premten në Shkodër.

Për sulmuesin kosovar kjo ishte hera e parë që takoi futbollistët tjerë të Kosovës, me të cilët po kënaqej sikur të luanin bashkë qe shumë vite.

Kapiteni Samir Ujkani ka lidhje familjare me Besart Berishën. Bashkëshortet e tyre janë motra.

Por, Berisha kalonte momente perfekte me të gjithë lojtarët dhe nuk dallohej lidhshmëria e tij e veçantë me portierin e njohur.

Reprezentuesit kosovarë e kishin pagëzuar Berishën me nofkën “Baxhanak”.

Por, sulmuesi i famshëm i ardhur nga Australia e largët tha se Ujkanin nuk e ka fortë në qejf vetëm pse është portier, përkundër lidhjes familjare. Normalisht, në shaka.

“Tash po më thërrasin të gjithë ‘baxhanak’. Si sulmues që jam nuk i dua aspak portierët, ndaj të cilëve dua të shënoj vetëm gola”, tha Berisha duke qeshur.

Por, i afërmi i tij, Samir Ujkani, nuk e fshehu gëzimin e ardhjes së Berishës në skuadrën shtetërore të Kosovës.

“Më pëlqen mentaliteti i Besartit, ka provojë dhe jep shumë energji pozitive”, u shpreh ai.

Ujkani pati rast t’i dalë përballë Berishës gjatë seancës së parë stërvitore.

Por, gjuajtjet e prishtinasit ishin thuajse të pandalshme për Ujkanin. Berisha shfaqi klasin qysh në stërvitjen e parë.

Dukej në formë optimale e po ashtu tepër i motivuar. Përshtypje mjaft të mira lanë edhe dy konkurrentët e tij në sulm, i porsaardhuri tjetër, shtatlarti Atdhe Nuhiu, e po ashtu edhe i dëshmuari Vedat Muriqi.

Me gjuajtje të forta e të sakta dallohej edhe risia e tretë, Donis Avdijaj.

Me fjalë tjera, shenja pozitive dhanë të gjithë futbollistët, përkundër fushës të papërshtatshme në Drenas, e cila ishte tepër e fortë.

Përkundër kësaj, Albert Bunjaki u nda i kënaqur me stërvitjen e parë, e cila zgjati afro një orë e gjysmë.

Por, ai pranoi se tashmë i janë vështirësuar për ta bërë një përzgjedhje sa më të mirë në formacionin startues, pasi konkurrenca është shtuar shumë në grupin e lojtarëve të tij.

Megjithëkëtë, seleksionuesi kosovar se rreth 70 për qind të vendimeve i ka marrë, kurse 30 për qind tjera do t’i marrë pas dy stërvitjeve të radhës që Kosova do t’i zhvillojë të mërkurën dhe të enjten në Shkodër.

“Kjo ishte stërvitja e parë, kemi bërë disa kombinime dhe pozicione. Motivimi është i brendshëm. Të gjithë e kuptojnë se me vesh fanellën e Kosovës është nder dhe përgjegjësi shumë e madhe, por edhe respekt. Gjendja e lojtarëve është e mirë. Jam shumë i kënaqur me konkurrencën brenda ekipit, konkurrenca është rritur në disa pozicione shumë më shumë sesa që kemi menduar. Lojtarët duhet ta kuptojnë se të gjithë nuk munden të luajnë në këtë moment”, tha Bunjaki.

Bunjaki: Ka ardhur koha për gola

Për kundër tri humbjeve e një barazimi, apo dymbëdhjetë golave të pësuar dhe vetëm një të shënuar deri më tani në kampanjën kualifikuese, Albert Bunjaki është i kënaqur me paraqitjet e kaluara të skuadrës së tij.

Ai insiston se fati i ka munguar shumë Kosovës, ndërsa lutet që fati t’i kthehet në ndeshjen e së premten me Islandën, shkruan Zëri.

“Islanda është mjaft kompakte në mesfushë, por ne kemi krijuar gjithmonë raste dhe shpresoj të kemi fat këtë herë. Dashtë Zoti të shënojmë gol”, tha Bunjaku.

Besart Berisha e synon golin e 100-të me Kosovën

Me 99 gola të shënuar në kampionatin australian, Besart Berisha ka dëshmuar klasin, të cilin vendosi ta përcjellë edhe në përfaqësuesen e Kosovës.

Derisa Australia po e pret golin e 100-të të tij në elitën e futbollit të saj, Berisha shpreson se këtë ta bëjë në Shkodër për Kosovën.

“Ne luajmë për të fituar. Unë jam sulmues dhe prej sulmuesit priten gola, kështu që do ta jap maksimumin me shpresën që të shënoj gola. Shpresoj që golin e 100 ta shënojë për Kosovën”, tha Berisha duke qeshur.

Ai u shpreh i kënaqur me pritjen që ia ka bërë reprezentacioni kosovar.

“Është një grup shumë i mirë me lojtarë të talentuar, me mentalitet pozitiv dhe me disiplinë. Shokët më kanë pritur shumë mirë. Nuk besoj se do të hasim në probleme. Jam shumë i kënaqur deri më tani. Pse të mos e sulmojmë Islandën. Në futboll luhet për ta fituar lojën, por duhet të jemi shumë kompakt, sepse Islanda është e fortë, sidomos në aspektin fizik”, tha ai.

Portieri Ujkani e di pikën e fortë të Islandës

Samir Ujkani shpreson të mos pësojë gol nga Islanda. Portieri që mban shiritin e kapitenit ndihet në formë dhe shpreson që Kosova të festojë të premten në Shkodër.

“Duhet të kemi kujdes nga goditjet standarde të tyre, ne jemi të bindur te rezultati jonë. Grupi jonë është rritur. Kemi respekt për Islandën, por ne besojmë te një rezultat pozitiv”, tha Ujkani.

Edhe Valon Berisha synon të shënojë

Valon Berisha është golashënuesi i vetëm i deritanishëm i Kosovës në këtë kampanjë kualifikuese.

Ai kishte realizuar gol në Finlandë nga penalltia. Por, ish-mesfushori i Norvegjisë tani synon të shënojë nga loja kundër Islandës.

“Do të jetë ndeshje e vështirë, por mundësitë për të fituar i kemi. Islanda është ekip shumë i fort, mjaft luftarak dhe mirë i organizuar. Skuadra me organizim dhe me strategji më të mirë do ta fitojë ndeshjen. Do provoj ta shtyj topin në gol”, u shpreh Berisha.

Rashica: Jua premtoj maksimumin

Milot Rashica u ka premtuar kosovarëve se bashkë me reprezentuesit tjerë do të japin gjithçka nga vetja në sfidën e së premtes.

Sipas yllit tonë fitorja kundër Islandës nuk është mision i pamundur për Kosovën.

“Premtoj se do ta japim maksimumin. I kemi dy ditë kohë, duhet të mendojmë mirë, të përqendrohemi maksimalisht dhe seriozisht në mënyrë që ta japim maksimumin në ndeshje, të cilën pse jo edhe ta fitojmë. Jam në formë dhe shpresoj të vazhdojë edhe me Kosovën. Kemi lojtarë të mirë ofanzivë dhe mund të sulmojmë. E kemi mirëpritur Besart Berishën, përvoja e të cilit mund të na shërbejë”, tha Rashica.

U nisën për Shkodër

Përfaqësuesja e Kosovës të martën e ka zhvilluar seancën e parë stërvitore për ndeshjen e së premtes kundër Islandës. Reprezentuesit tanë ushtronin dhe kënaqeshin në Drenas.

Pastaj, ata udhëtuan drejt Shkodrës, ku i presin dy seanca tjera stërvitore para ndeshjes së madhe kundër befasisë së mrekullueshme të Kampionatit Evropian “Franca 2016”. /Zëri/