Kosova po rritet

Sport March 22, 2017 - 10:43

Përfaqësuesja e Islandës po i zhvillon përgatitjet për ndeshjen me Kosovën në Parma të Italisë, para se të enjten ta marrë rrugën drejt Shkodrës, ku të nesërmen do të zhvillohet ndeshja.

Islandezët e vlerësojnë lart kundërshtarin e 24 marsit dhe kërkojnë kujdes ndaj ekipit të Albert Bunjakit, shkruan sot gazeta Zëri.

“Të premten djelmoshat janë të thirrur ta zhvillojnë një ndeshje të rëndësishme. Do të luajmë me një kundërshtar të vështirë si Kosova”, njofton Federata Islandeze e Futbollit.

Rëndësinë e këtij dueli e di edhe trajneri Heimir Hallgrimsson, i cili konsideron se kundërshtari i tij është më i fortë se që të tjerët mendojnë.

“Kosova e ka një ekip mjaft të mirë. Në çdo lojë po luan më mirë, po është më e organizuar dhe po bëhet më e vështirë që të mposhtet. Ajo që kemi ndoshta më shumë se ta është se jemi për një kohë më të gjatë së bashku”, ka thënë përzgjedhësi islandez.

Islanda paraqitet të premten me disa mungesa të rëndësishme, të cilat po e shqetësojnë taborin e “Vikingëve”, të cilët megjithatë e duan fitoren në Shkodër. /Zëri/