Tregu i zi, biletat shiten deri në 100 euro

Sport March 21, 2017 - 10:24

Loja e re, avazi i vjetër. Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë të premten me Islandën në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2018 dhe njëjtë si para ndeshjes me Kroacinë njollë e zezë, dhe duket e pashlyeshme, mbeten biletat, shkruan sot gazeta Zëri.

Pak ditë më parë Federata e Futbollit të Kosovës i kishte plasuar në treg biletat për ndeshjen e 24 marsit, të cilat varionin nga 7, 15, 20, 55 e 110 euro, këto të fundit të kategorisë VIP.

Mirëpo, njëjtë si në ndeshjen e shtatorit të kaluar me kroatët, qytetarët kanë mbetur të zhgënjyer pasi në treg nuk kanë dalë bileta të mjaftueshme dhe shumë tifozë kanë mbetur pa to, edhe pse kanë shkuar me kohë në pikat e cekura.

Biletat kanë përfunduar në tregun e zi, edhe një herë. Në fakt, së fundmi është hapur një grup në rrjetin social “Facebook”, i cili ka nisur t’i shesë biletat në mënyrë ilegale për sfidën me “Vikingët”, që do të luhet këtë të premte në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Ajo fton të interesuarit për të blerë bileta që të shkruajnë në “chat” privat, ku edhe bëhet “pazari” dhe takimi për shitblerje të biletave me çmime enorme.

Fryhet çmimi i biletave, deri në 100 euro

Grupi i hapur në “Facebook”, i quajtur “Kosovë - Islandë Bileta”, e tregon edhe çmimin e biletave, të cilat shiten me çmime ekstreme për xhepin e tifozit kosovar. Më saktësisht, çmimet për tribunat A shkojnë deri në 100 euro, kurse për këtë tribunë Federata e Futbollit të Kosovës përmes uebfaqes së saj zyrtare ka njoftuar se çmimi është 55 euro.

Ndërkohë, në tribunat C1 dhe D4 biletat po shiten deri në 35 euro, ndërsa çmimi real i tyre në faqen zyrtare të FFK-së është 15 euro.

Tregu i zi kishte lulëzuar para ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, kur po ashtu çmimet e biletave shkonin deri në 100 euro, derisa në treg nuk ishin gjetur fare biletat e 20 eurove, që ishin më të kërkuarat.

Për këtë, tifozët kishin shprehur zhgënjim dhe dyshim duke shpresuar që një dukuri e tillë të mos përsëritej më.

Por avazi i vjetër po shkon edhe këtë radhë, pasi tifozët nuk kanë mundur të sigurojnë bileta në treg të pastër, pasi ato janë “avulluar”.

Prandaj, ata që kanë mundësi do të detyrohen t’i blejnë biletat me çmime të fryra dy-trefish më të shtrenjta se ato normalet, kurse ata që nuk kanë mundësi financiare, fatkeqësisht do t’ju duhet ta përcjellin ndeshjen përmes televizorit.

Gjithsesi ndaj këtij fenomeni negativ duhet të intervenojë FFK-ja, por edhe Policia e Kosovës, pasi nëse lejohet një gjë e tillë tregu i zi do të lulëzojë edhe më shumë në ndeshjet e ardhshme të Përfaqësueses së Kosovës. /Zëri/