S’ka Ligë Ballkanike, ka Ligë Shqiptare

Sport January 18, 2017 - 12:38

Serbisë pritet t’i kthehet “bumerang” insistimi i saj për krijimin e një Lige Ballkanike, por pa Kosovën dhe Shqipërinë. Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Armand Duka garanton se ideja e Beogradit do të dështojë pasi që nuk do të merret parasysh nga UEFA. Kreu i FSHF-së thotë se bashkë me FFK-në tashmë po e projektojnë një garë të përbashkët kombëtare. Ai beson se në një të ardhme të afërt Kosova e Shqipëria do ta kenë garën e përbashkët të tyre, e cila do të jetë shumë serioze dhe të cilën shpreson se do ta njohë edhe UEFA

Serbia qe një kohë të gjatë me të gjitha forcat po përpiqet ta çojë përpara procesin e krijimit të një Lige Ballkanike, në të cilën përveç klubeve serbe do të garonin edhe ato të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, eventualisht edhe të Hungarisë e Bullgarisë, por jo edhe të Kosovës e Shqipërisë, të injoruara e të padëshiruara nga Beogradi.

Në anën tjetër, janë pikërisht dy shtetet shqiptare ato të cilat tashmë po e projektojnë një ligë të përbashkët shqiptare, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, ideja për krijimin e një Lige Kombëtare ka lindur qysh moti, ndërsa anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA ka rritur shanset për realizimin e saj.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) kohëve të fundit janë deklaruar pro krijimit të një lige të përbashkët, por me kusht që ajo të jetë e pranueshme për UEFA-n, e cila deri më tani nuk ka dhënë shenja mbështetëse për Ligën Ballkanike të “sponsorizuar” nga Serbia.

FSHF-ja dhe FFK-ja thonë se nuk janë ndier të injoruara nga plani serb për t’i lënë jashtë projektit të Ligës Ballkanike.

Për më tepër, Armand Duka e quan ide të dështuar krijimin e një Lige Ballkanike, ndërsa idenë e një Lige Shqiptare e konsideron si reale.

Madje, Duka është i bindur se në një të ardhme UEFA mund ta njohë Ligën Shqiptare, ndërsa siguron se shtëpia e futbollit evropian njohje të njëjtë nuk do t’i japë Ligës Ballkanike.

“Unë nuk kam informacione rreth asaj Lige Ballkanike, por ju garantoj 99 për qind se nuk do të ketë Ligë Ballkanike. Ligë Shqiptare do të ketë, por jo edhe Ligë Ballkanike. Besoj se liga jonë do të njihet nga UEFA”, ka deklaruar Duka për gazetën “Zëri”.

Numri 1 i shtëpisë së futbollit shqiptar jep detaje të idesë së bashkimit të futbollit të Kosovës me atë të Shqipërisë. Sipas Dukës, të dyja shtetet do të përfaqësohen me skuadrat e tyre kombëtare.

Image

Po ashtu, të dyja shtetet do të kenë rrjedhë normale të garave përkatëse kampionale dhe për Kupa. Ndërsa, gara e përbashkët shqiptare do të jetë shtesë karshi atyre ekzistuese, me mundësi që fituesit e saj të kualifikohen në gara evropiane.

“Ka kohë që kemi nisur të bisedojmë me Vokrrin për të pasur një aktivitet të përbashkët. Nëse do të jetë Ligë e përbashkët apo një Kupë e përbashkët ende nuk është definuar, por gjithsesi që duam t’i japim seriozitet të duhur, ngjyrat e duhura për të pasur interesin e duhur dhe besoj se do ta realizojmë së shpejti”, është shprehur Duka.

“Nuk mund të themi nëse do të jetë Ligë ose Kupë. Mjafton të jetë një aktivitet i përbashkët. Mund të jetë një Ligë me pjesëmarrjen e dhjetë ekipeve më të mira apo mund të jetë një Kupë që mund t’i përfshijë të gjitha ekipet me sistem eliminimi, këto janë gjëra për t’u definuar”, ka potencuar Duka për Zërin.

Kohë më parë UEFA ka deklaruar se të gjitha raportimet për krijimin e një Lige Ballkanike nën ombrellën e saj, tash për tash janë të pavërteta.

Ndërkohë, burimet e ndryshme thonë se UEFA është e vetëdijshme se një Ligë Ballkanike do të mundë të jepte shpresa për ngritjen e nivelit të futbollit ballkanik, pasi ai i Evropës Qendrore i është shkëputur goxha shumë për nga niveli.

Mirëpo, UEFA do të hezitojë ta përkrahë krijimin e një Lige Ballkanike, pavarësisht të mirave sportive që mund t’i sjellë ajo, për shkak se në Ballkanin e njohur për luftëra të përgjakshme ende janë në sipërfaqe tensionet ndëretnike, të cilat më së shumti vërehen nëpër ndeshje të futbollit.

Tensionet e tilla më së shumti vërehen kur takohen serbët me kroatë apo me shqiptarë, ndërsa me kuqezinjtë probleme kanë edhe të tjerët, siç janë maqedonasit. /Zëri/