FFK frymon njësoj!

Sport July 30, 2016 - 16:04

Shkruan Nexhmedin Bunjaku, ish futbollist dhe gjyqtar

Edhe pse u pranuam në instancat më të mëdha të futbollit me të gjitha të drejtat, pra në UEFA dhe FIFA, edhe pas skandaleve që ndodhën pas pranimit me dy klubet e Superligës, Kampionit dhe fituesit të kupës së Republikës, si duket në FFK vazhdon avaria, neglizhenca, mospuna dhe mosdija, dembellëku dhe gjumi i thellë.

Te kjo garniturë udhëheqëse, që nga dita e parë e mandatit të parë, është vërejtur se nuk e ka disiplinën e punës profesionale, nuk është e pjekur dhe profesionale për të udhëhequr futbollin e Kosovës, strukturat e kësaj Federate nuk kanë aftësi të drejtojnë futbollin e Kosovës në binarë të drejta kah bota përparimtare e futbollit, qëndrojnë në pushtet duke bërë klane, manipulime, familjarizëm dhe duke e politizuar edhe vetë Federatën.

Së fundit, heshtja e Federatës ndaj problemit të Përfaqësueses e cila i ka ende të panjohur emrat e futbollistëve që do kyçen në përfaqësuese, klubet ende nuk kanë marrë materialin me standarde apo kritere që duhet plotësuar nga UEFA, mosdetyrimi nga Federata për një invazion në përmirësimin e infrastrukturës, mosformimi i komisioneve dhe organeve shtesë brendapërbrenda FFK-së, ashtu siç kërkojnë rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s, pra duhet të ndryshohet edhe vetë statuti i FFK-së në bazë të përmbushjes së këtyre standardeve apo kritereve, lë vend për brengosje se FFK-ja është po ajo e njëjta siç ka qenë që sa e sa vite, po të njëjtit akterë që lanë futbollin e Kosovës të izoluar plot 16 vjet, po të njëjtit pjesëtares në degradimin e futbollit që tash në të madhe po i vërejmë pasojat, e këto më së shumti po i kushtojnë klubeve.

Ende pa filluar kampionati i ri, shumë klube dhe vetë Përfaqësuesja e Kosovës, tashmë kanë paralajmëruar krizë, e çka do të ndodhë më vonë është për t’u brengosur.

Po brengosen kryesitë e klubeve, shtabi teknik i Përfaqësueses, po brengoset opinioni futbolldashës, por për çudi këtë brengosje nuk e kanë prijësit e FFK-së, ashtu siç nuk e kanë pasur që sa e sa vite.

Reagimi i FFK-së në FIFA, për zgjidhjen e statusit të futbollistëve që luajnë për Kombëtare të ndryshme nëpërmes një letre, dhe për ta mbaron me kaq, është edhe një defekt dhe papërgjegjësi që ka kjo garniturë udhëheqëse.

Reagimi ndaj FIFA-s rreth kësaj çështjeje duhet të jetë me këmbëngulës, të shkohet dhe të trokitet në dyert e FIFA-s, sepse tash jem të barabartë me shtetet tjera dhe është e drejtë e jona të kërkohen së paku sqarime rreth kësaj vonese, sepse koha po ikën dhe do paraqiten vështirësi edhe më të mëdha.

Prijës të FFK-së, zgjohuni nga gjumi, punoni në hap me kohën sepse një ditë e humbur do t’ju kushtojë shumë duke pasur parasysh sa shumë punë që keni për të bërë, punë që kur të ju vije materiali i kritereve dhe standardeve që duhet plotësuar, ju do frikoheni, do frikoheni sepse jeni në piken zero të plotësimit të këtyre standardeve apo kritereve duke filluar nga vetë FFK.

Si pikë e parë kah plotësimi i këtyre standardeve janë reformat dhe sjellja e njerëzve me vlera dhe profesionist në Federatë, të sillni demokracinë e humbur brenda kësaj Federate që mungon që nga ardhja e kësaj garniture në pushtet, largoni klanet, monopoli dhe familjarizmi, sepse herët a vonë këto do u t’u hakmerren dhe mu këto do ju detyrojnë të ikni nga pushteti, sepse mbi kokë keni ata që nuk falin: FIFA dhe UEFA.