Kuriozitete

Fëmijët mësojnë si të gënjejnë nëse iu thuhet vazhdimisht ky kompliment

Fëmijët mësojnë si të gënjejnë nëse iu thuhet vazhdimisht ky kompliment
14 nëntor 2017 • 16 : 26

Një studim i ri ka nxjerrë në pah se mënyra e lavdërimit mund të nxisë inkurajim pozitiv te fëmijët, ose të promovojë pandershmërinë dhe gënjeshtrën te ta.

Sipas 2 studimeve të reja të studiuesve në Institutin Ontario për Studime në Arsim (OISE) në Universitetin e Torontos, fëmijët që vlerësohen si të zgjuar, kanë më shumë gjasa të bëhen të pandershëm dhe të gënjejnë me shpresën që të ruajnë imazhin e tyre pozitiv.

Në studimin e parë u mblodhën një grup fëmijësh të moshës 3 – 5 vjeçare për të luajtur një lojë gjetjesh me hamendësime. Për gjetjet e sakta të përgjigjeve, gjysma e tyre u vlerësuan me lavdërimin si të zgjuar duke iu thënë:

– ‘Jeni shumë të zgjuar,’ dhe gjysmës tjetër iu tha që:
– ‘Keni bërë një punë shumë mirë kësaj radhe’.

Ky ndryshim delikat vetëm në theksimin e intelektit apo sjelljes, ishte i mjaftueshëm për të ndikuar në mënyrën se si fëmijët e shihnin performancën e tyre.
Studiuesit pastaj largoheshin nga dhoma duke u thënë fëmijëve të premtonin që nuk do të gënjenin duke i parë përgjigjet. Pasi i vëzhguan përmes një kamere të fshehtë, ata gjetën se fëmijët që u vlerësuan si të zgjuar, patën më shumë gjasa të vepronin në mënyrë të pandershme dhe t’i shihnin përgjigjet.

Eksperimenti i dytë, i botuar në Shkencën e Zhvillimit, filloi me premisën e mësipërme të ngjashme. Fëmijët u ndanë në dy grupe dhe fëmijëve të njërit grup iu tha që ata kishin reputacion si fëmijë shumë të zgjuar. Dëgjimi i këtij lloj lëvdimi u shoqërua me tendencë më të lartë të këtyre fëmijëve për të mashtruar.

Pra lavdërimi është më kompleks sesa duket. Formulimi i tij duket se ka një efekt të madh e të ndryshëm.

Ndërsa mendoni se po e inkurajoni fëmijën duke i thënë “Ti je fantastik ” apo ‘Je shumë i zgjuar!”, kjo mund t’i udhëheqë ata që të mashtrojnë në mënyrë që të mbështesin vlerësimin tonë pozitiv.

Ndërkohë, ato që duhen vlerësuar janë veprimet dhe sjelljet e tyre. Kjo mund të duket si një ndryshim i vogël e i parëndësishëm, por ka një ndikim të madh në mentalitetin e fëmijës.

“Duke vlerësuar aftësinë e fëmijës nënkupton që sjellja specifike që komentohet rrjedh nga tipare të qëndrueshme që lidhen me aftësinë e dikujt, siç është zgjuarsia”, thotë Kang Lee profesor në Institutin e studimeve për fëmijë. “Kjo është ndryshe nga format e tjera të lavdërimit, të tilla si lavdërimi i sjelljeve të veçanta ose vlerësimi i përpjekjeve”.

 

© zëri.info