​Business Day: 8 arsyet e vërteta pse Finlanda është më e suksesshme se SHBA në edukim dhe ndërmarrësi

Kuriozitete February 22, 2017 - 16:12

Shpesh dëgjojmë nga qeveria, partitë politike dhe analistë të mediave të ndryshme që pohojnë se ideologjia e tyre e cila buron prej socializmit deri te neoliberalizmi është përgjigja për sistemin e shkatërruar të edukimit dhe papunësisë. Sidoqoftë, rrallë herë këta faktorë përmendin shembuj aktual dhe të qartë të vendeve që kanë marrë përsipër fatin e tyre dhe e kanë kthyer situatën për së mbari, shkruan Dan Brotman për Busines Day.

Brotman thotë se një një vizitë e tij një javore në Finlandë ia ka qartësuar atij se cili është sistemi i duhur i edukimit i cili duhet ndjekur nga shumë shtete, një sistem me edukim bazë dhe me fokus ndërmarrësinë.

Finlanda ka 5.5 milionë banorë dhe është në mes të lindjes e perëndimit, në kufi me Rusinë në njërën anë dhe me Bashkimin Evropian në anën tjetër.

Me pavarësinë që e ka fituar vetëm 100 vjet më parë nga Perandoria Ruse dhe me një varfëri të skajshme deri në vitet e 80-ta, Finlanda vendosi që të bënte kthesën për së mbari duke ndryshuar sistemin e dikurshëm mediokër, për të përqafuar teknologjinë dhe inovacionet.

Përparimi i Finlandës falë sistemit të edukimit është evident sipas raportit të auditimit të World Democracy, që e radhit Finlandën në vendin e dytë më së paku të korruptuar në botë, që do të thotë se të hollat e taksave të qytetarëve shpenzohen në mënyrë korrekte në shërbim të një shoqërie me standard kryesisht të barabartë.

Në Finlandë shkollimi shihet si e drejtë e njeriut dhe këtë shteti skandinav e ka shndërruar në shtyllën bazë të prosperimit ekonomik dhe shoqëror, gjithnjë sipas Brotman.

Brotman insiston se vendet më pak të zhvilluara duhet patjetër të mësojnë nga sistemi i edukimit të Finlandës. Filozofia e këtij sistemi që është një përzierje mes praktikave më të mira të aplikuara në botë, është i bazuar në besim, individualitet dhe aftësi të vërteta botërore.

1.     Në Finlandë sipas Brotman fëmijët fillojnë mësimin vetëm në moshën 7 vjeçare, pasi fëmijëria e hershme dhe lojërat shihen si të rëndësishme për mësimin formal dhe se ato duhet të parapëlqehen për sa më gjatë që është e mundur.

2.    Brotman shton se mësuesitnë Finlandë patjetër duhet të jenë të diplomuar në studimet master, duke mbajtur këtë profesion konkurrues për të gjithë ata që duhet të jenë pjesë e edukimit finlandez.

3.     Studentët rrallë hyjnë në testime dhe suksesi bazohet në synimet individuale mësimore që adresohet nga një mësues i caktuar i një nxënësi të cilit i adresohet gjithmonë në emrin e parë, dhe jo në mbiemër.

4.    Kurrikula dhe lëndët mësimore nuk u servohen nxënësve një nga një, që do të thotë se ata nuk mësojnë vetëm një lëndë për një moment si p.sh vetëm Histori, por kanë mësime që janë të kombinuara nga lëndë të ndryshme (Anglisht dhe Histori të kombinuara).

5.    Ekonomia shtëpiake është lëndë obligative dhe i mëson nxënësit se si të gatuajnë dhe si të pastrojnë.

6.    Shkollat nuk ndajnë nxënësit e fortë dhe të dobët dhe i enkurajojnë ata nxënës që nuk janë aq të prirur për mësim që të ndjekin një shkollë për profesione të ndryshme në vend të universitetit.

7.     Në fakt, 40 % e të gjithë atyre që përfundojnë shkollat e mesme zgjedhin shkollat profesionale para universitetit dhe madje ekziston ehde një opsion për t’i bërë të dyjat – në të njëjtën kohë.

8.    Brotman potencon se veçantia e vërtet e sistemit edukativ finlandez është qasja ndaj iniciativave “start-up” të ndërmarrësisë, një qasje që lulëzoi në vitin 2008. Një sondazh i realizuar 20 vite më parë, citon Brotman në shkrimin e tij për BusinessDay, ka konstatuar se vetëm 3 nga 600 nxënësit dëshironin të fillonin biznesin e tyre pas diplomimit.

Por, një tjetër sondazh i realizuar së fundmi ka konstatuar se 400 nga 600 të diplomuar në Finlandë tash duan të fillojnë me biznesin e tyre pas diplomimit, duke reflektuar qëndrimin radikal të të rinjve finlandez ndaj ndërmarrësisë.

Qeveria finlandeze ka një agjenci që quhet FinPro, e cila e ka për qëllim që të ndihmojë iniciativat “start-up” të ndërmarrësisë në Finlandë që të eksportojnë produktet e tyre në tregje të reja. I enkurajon që këta ndërmarrës me “start up-et” e tyre të vizitojnë këto tregje dhe të kuptojnë ambientin lokal të biznesit.

Brotman fascinohet kur flet për universitetet e Finlandës, të cilat thotë se janë shtytës kryesorë që asistojnë studentët dhe të diplomuarit që të ngrisin “start up-et” e tyre.

“Një shembull është xEdu, i bazuar në universitetin e Helsinkit. Pjesëmarrësit në xEdu vijnë nga i gjithë regjioni pasi është i vetmi shtytës në Evropën e Veriut që promovon edukimin teknologjik (Edtech), i cili përgatit pjesëmarrësit me kapital fillëstar dhe një program intensiv tre-mujor.

Shtytës si xedu janë duke zhvilluar një gjeneratë të re të ndërmarrësve finlandezë të cilët po e demokratizojnë edukimin duke bashkëdyzuar pedagogjinë finlandeze dhe teknologjinë”, thotë Brotman, për ndikimin e universiteteve finlandeze në përgatitjen e ndërmarrësve të rinj.

Hulumtimin e tij një javor në Finlandë, Brotman e përfundon me rekomandimin dhe dëshirën, që secili vend në zhvillim të fillojë të mësojë nga praktikat e edukimit finlandez dhe nga përkrahja që ky sistem i jep ndërmarrësisë, me ç’rast, po këto vende, do ta shndërronin edukimin e tyre në shtyllën e zhvillimit ekonomik të tyre, pasi pikërisht “kanceri” i zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve është sistemi i dobët dhe jo efikas i edukimit.