'Një muaj' nga Kosova, premierë botërore ne Kajro

Kultura October 31, 2017 - 10:01

Filmi i shkurtër “Një muaj”, me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi dhe producent Agon Syla, është pranuar në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër –International Cinema of Tomorrow Competition, në festivalin e kategorisë “A” ku do të garojë për çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër” dhe për çmimin special të jurisë.

“Një muaj” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe flet për Anën, një 40-vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen e saj që të kujdeset secila me rend nga një muaj.

Në këtë film luajnë aktorët Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri Berisha dhe Lis Spahiu.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike “Broken Branch Production”, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe me mbështetje nga Swiss Cooperation Office Kosova dhe Komuna e Prishtinës.

Cairo International Film Festival është themeluar në vitin 1976 dhe njihet si festivali më i vjetër në Arabi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme dhe gjithashtu bën pjesë në mesin e 15 festivaleve garuese të kategorisë A, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Producentëve të Filmit (FIAFP). Edicioni i këtij viti fillon me 21 deri 30 nëntor 2017.

Ky festivali u lansua në vitin 1976 nga shkrimtari dhe kritiku Kamal el Mallakh për të rritur rolin e Egjiptit në botën e filmave dhe kinemasë dhe për të shërbyer si një urë në mes të kulturave të botës.

LEXO EDHE: Akademi e Animacionit për herë të parë në Kosovë

Si një përpjekje për të festuar kinemanë më të mirë ndërkombëtare, Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Kajros është dëshmuar vit pas viti dhe ka vazhduar të jetë një pikë takimi jo vetëm për krijuesit e filmave dhe kritikët por edhe për shkrimtarët, intelektualët dhe artistët e tjerë.

Shoqata Egjiptiane e Shkrimtarëve dhe Kritikëve të Filmit kryesoi festivalin për shtatë vitet e para, deri në vitin 1983. Në vitin pasues, Bashkimi i Sindikatave të Artistëve mbikëqyrte festivalin dhe pas kësaj kohe, disa shoqata i mblodhën burimet e tyre për të drejtuar festivalin.

Shoqata Egjiptiane e Shkrimtarëve dhe Kritikëve të Filmit u bashkua me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkimin e Sindikatave të Artistëve për të formuar një komitet të përbashkët më 1985 për të përmirësuar cilësinë dhe gjendjen financiare të festivalit. /ZËRI/