Akademi e Animacionit për herë të parë në Kosovë

Kultura October 31, 2017 - 08:45

Së shpejti të rinjtë kosovarë do të kenë mundësi të njihen nga afër me botën e krijimit të animacioneve.

Kjo sepse Anibar, organizata e cila lindi pas formimit të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, këto ditë po e fillon programin më të ri të organizatës – Akademinë e Animacionit Anibar.

Rozafa Imami, producente e festivalit Anibar, bëri të ditur për gazetënZëri se në fund të kësaj akademie studentët e kurseve do të aftësohen, ndër të tjera, për dizajnimin dhe ndërtimin e karaktereve për animacion, dizajnimin e skenografisë dhe prapavijës e editimin e produktit final.

Konkursi është hapur këtë të hënë dhe organizatorët presin aplikacionet e të interesuarve deri më 5 nëntor.

Ky program është i pari në Kosovë që do të shërbejë për aftësimin e të rinjve në fushën e filmit të animuar dhe do të funksionojë në qytetin e Pejës, në hapësirat e Anibarit, në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

Akademia e Animacionit Anibar ka për qëllim ofrimin e një programi të edukimit për ndërtimin e gjeneratës së re të animatorëve nga Kosova, duke i ekspozuar të rinjtë ndaj filmit të animuar si një formë e artit.

Në animacion, krijuesit kanë liri të pakufizuar në eksplorimin e kulturave të ndryshme, të shprehjes së mendimeve dhe ideve, kombinimin e anës vizuale e kreative me tregimin.

Ky program do të shërbejë si program ekstra kurikular për nxënësit e shkollave të mesme në qytetin e Pejës, e veçanërisht shkollën e mesme të arteve në Pejë.

“Nxënësit e shkollave të mesme do të kenë përparësi në selektimin për program, mirëpo do të bëhen përjashtime edhe për nxënësit e shkollave fillore që tregojnë aftësi të mira dhe potencial për animacion”, tregoi përZërinImami.

E pyetur për interesimin e rinisë kosovare për animacion, ajo thotë se nëse bazohemi te interesimi për pjesëmarrje në punëtoritë e më hershme të Anibarit, ky lloj arti është i pëlqyer në Kosovë.

“Duke u bazuar në pjesëmarrjen e të rinjve në punëtoritë që Anibar i organizon gjatë festivalit, lehtësisht mund të themi që ka interesim të madh tek të rinjtë për këtë fushë të artit. Këtë vit kemi organizuar 5 punëtori mirëpo prapë ka pasur të rijnë që kanë mbetur jashtë listave për shkak të numrit të madh të të interesuarve. Gjithashtu, momentalisht animacioni në Kosovë po përdoret gjithnjë e më shumë si formë e artit, në reklamë, si formë e filmit, apo edhe për lojëra kompjuterike, kështu që ka interesim dhe potencial të dukshëm për animacion në Kosovë”, theksoi ajo.

Funksionalizimi i Akademisë së Animacionit Anibar do të fillojë që nga muaji nëntor.

Programi është i dizajnuar për t’i dhënë nxënësve aftësi bazike mbi filmin e animuar gjatë një periudhe fillestare prej tre muajve, sa do të zgjas programi për grupin e parë të nxënësve.

Gjatë kësaj kohe nxënësit do të kenë mundësi që të marrin aftësi të avancuara në tri teknikat tradicionale të animacionit, siç janë Rotoscope Animation, Puppet Animation (stop motion) dhe Cutout Animation (stop motion). Si produkt i fundit pas përfundimit të programit do të dalin filma të shkurtër të animuar.

“Një program do të zgjasë 3 muaj apo 12 javë të ndara në 36 orë mësimi nga 3 orë në javë. Gjatë një viti do të organizohen 3 programe me nga 12 javë. Gjatë vitit të parë Anibar do të punojë në drejtimin e forcimit të kurikulës dhe të gjetjes së mbështetjes financiare për ta kompletuar shkollën me të gjitha pajisjet e nevojshme për animacion, kësisoj për ta përgatitur akademinë për akreditim dhe kësisoj për ta shndërruar në një institucion”, tregoi producentja Imami.

Në procesin e krijimit të animacionit puna do të jetë grupore, duke kaluar në fazat e krijimit të një filmi të animuar si krijimi i skenarit, dizajnimi i karaktereve, dizajnimi i skenave dhe prapavijës, animimi edhe fotografimi i karaktereve, editimi dhe produksioni i filmit.

Përveç tjerash nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë edhe mbi historinë e animacionit për animatorë të ndryshëm, kamera digjitale, software të animacionit, software për montazh, dhe editim të zërit.

Për momentin Akademia po organizohet vetëm nga Anibar me pajisjet vetanake dhe me ndihmën e animatorëve të tjerë nga Kosova që do të ligjërojnë gjatë javëve të programit.

Anibari është një organizatë e formuar nga një grup i të rinjve aktiv i artistëve, të cilët kanë dëshmuar entuziazmin dhe vizionin e tyre për të promovuar kulturën e filmit të animuar në pesë edicionet e fundit të festivalit, gjithashtu duke demonstruar kapacitetet e zhvilluara për të organizuar ngjarje të mëdha.

Anibari ka investuar në kapacitetin e zhvillimit të rinisë dhe fëmijëve nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, debateve dhe aktiviteteve të tjera që ju mundëson të gjithë artistëve ballkanikë të rrisin dukshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Në gusht të këtij viti Festivali i Filmit të Animuar hapi dyert dhe mirëpriti mbi 9,000 animatorë entuziastë, artistë dhe publikun që u mblodh për edicionin e tetë të festivalit të vetëm të animuar në Kosovë. /ZËRI