Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për terrorizëm

Kronika May 06, 2016 - 16:09

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë për terrorizëm pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, kundër të pandehurve L.R dhe A.R, që të dy shtetas të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet së të pandehurit me qëllim që të marrin pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist “Al Nusra” që luftonte për krijimin e shtetit Islamik- ISIS në Siri dhe Irak, të pandehurit në nëntor të vitit 2013, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, kanë udhëtuar për në Stamboll, e prej aty në qytetin Hatay në kufi me Sirinë, e më pas kanë kaluar në Siri ku janë vendosur në qytetin Azaz.

Të pandehurit pas kryerjes së përgatitjeve disa ditësh janë pajisur më armë duke u angazhuar në veprimtari të grupit terrorist “Al Nusra”, deri kur janë kthyer në Kosovë në shkurt të vitit 2014.

Me këto veprime, sipas aktakuzës të pandehurit secili veç e veç ka kryer veprën penale Organizimi  dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nga neni 143 par.2 të KPRK-së.