Mbahet seanca për caktimin e dënimit të tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës, akuzohen për korrupsion

Mbahet seanca për caktimin e dënimit të tre zyrtarëve të Fushë-Kosovës, akuzohen për korrupsion

Kronika April 22, 2024 - 12:05

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën është mbajtur seanca për caktimin e dënimit, në rastin ku Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku akuzohen për korrupsion.

Në këtë rast, Jakup Tërnava në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Fushë-Kosovës dhe zyrtarët Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare. E akuzuar në këtë rast është edhe Mevlude Nishori, por për shkaqe shëndetësore procedura penale ndaj saj është veçuar, transmeton Klankosova.tv.

Fillimisht, në këtë seancë është bërë administrimi si provë materiale evidenca e të kaluarës kriminale të të pandehurve, ku sipas gjykatës i akuzuarit Tërnava rezultonte të ishte i dënuar me një vit burgim me kusht, kurse për të akuzuarit Mustafa- Sadiku dhe Gërguri nuk kishte evidenca se të njëjtit kishin ndonjë lëndë të plotfuqishme.

Lidhur me këtë provë i akuzuarit Tërnava deklaroi se kishte vërejtje pasi që sipas tij, ai nuk ishte i dënuar asnjëherë më parë, duke theksuar se në fshatin e tij të lindjes ekzistonin edhe tre persona me emër dhe mbiemër të njëjtë. Për këtë vërejtje nga ana e të akuzuarit Tërnava, gjykatësja Medie Bytyqi tha se do ta verifikojnë edhe njëherë.

Tutje, seanca vazhdoi me paraqitjen e rrethanave lidhur me caktimin e dënimit nga ana e prokurorit Bekim Kodraliu, i cili pasi dorëzoi me shkrim propozimin e tij, kërkoi nga gjykata që si rrethanë rrethanat rënduese të merret se të akuzuarit nuk kanë shprehur pendim gjatë gjykimit.

Prokurori Kodraliu po ashtu tha se të pandehurit kishin pasur dashje direkte dhe se veprën e kishin kryer nën petkun e personit zyrtar dhe se më veprime të tyre sipas tij, i ishte bërë dëm pronësor të dëmtuarve.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Ali Ajeti pasi dorëzoi me shkrim rrethanat për caktim të dënimit, tha se mbështet në tërësi fjalën e prokurorit Kodraliu, duke kërkuar që të anulohet aktvendimi ku i është njohur e drejta e pronësisë një familje tjetër, duke kërkuar që kjo e drejtë t’i njihet familjes së dëmtuar.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Tërnava avokati Zanfir Kryeziu dorëzoi me shkrim rrethanat për caktim të dënimit, duke shtuar se konsideron se i mbrojturi i tij nuk kishte përfituar materialisht nga kryerja e kësaj vepre dhe se nuk ishte vërtetuar dashja. Sipas tij, gjykata mund ta zbuste dënimin edhe në minimumin e paraparë me ligj duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Gërguri, avokate Lule Bilalli- Ymeri deklaroi se mbetet pranë pretendimeve të paraqitura me shkrim lidhur me rrethanat për caktim të dënimit.

Në fund edhe mbrojtësi i të akuzuarës Mustafa-Sadiku avokati, Përparim Haliti dorëzoi me shkrim rrethanat lidhur me caktimin e dënimit, dhe kërkoi nga gjykata që në rastin e matjes së dënimit ndaj të mbrojturës së tij të ketë parasysh rrethanat lehtësuese siç ishin shkalla e ulët e përgjegjësisë, mungesa e motivit dhe dashjes së kryerjes së kësaj vepre penale dhe se e njëjta nuk ishte recidiviste dhe se ishte nënë vetushqyese.

Në këto rrethana seanca e sotme përfundoi, ndërsa shpallja lidhur me këtë çështje pritet të bëhet në një datë tjetër.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori, Jakup Tërnava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga Neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Nishori akuzohet se si zyrtare ligjore kishte përpiluar aktvendimin për revokimin e bartjes së pronësisë, e cila ishte në emër të dëmtuarve S.K., B.K., Z.K dhe Xh.K., Kurse, Tërnava thuhet se në cilësi të drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishe shfrytëzuar pozitën e tij, duke bërë ndryshime në parcelën për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte caktuar masë të sigurisë.

Aktakuza thotë se i akuzuari Gërguri, në cilësi të zyrtarit referent i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke lëshuar certifikatë pronësie, e cila jashtë kushteve ligjore ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.

Kurse, e akuzuara Mustafa-Sadiku ngarkohet që në cilësi të zyrtares ligjore në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë-Kosovës, kishte ndërruar operatin kadastral për parcelën, e cila kishte masë të sigurisë nga Themelorja në Prishtinë. /betimipërdrejtësi