Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj Akil Gjakovës

Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj Akil Gjakovës

Kronika April 19, 2024 - 16:50

Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj xhudisti Akil Gjakova, i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”

Siç thuhet në njoftimin e gjykatës, të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra.

Tutje thuhet se në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktoj masën e paraburgimit.

“Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund t’a dënojë personin e mbrojtur me gjobë”.

Në fund, Gjykata Themelore e Pejës ka thënë se kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Përndryshe, xhudisti Akil Gjakova u shpall në kërkim të martën nga Policia e Kosovës, për veprën “Dhunë në familje”, pasi dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes.

Gjithashtu, Federata e Xhudos ka reaguar duke thënë se besojnë në pafajësinë e Gjakovës.