Shala: 90% e policëve, të patrajnuar për kontrollimin e lëndëve eksplozive
FOTO: Zëri

Shala: 90% e policëve, të patrajnuar për kontrollimin e lëndëve eksplozive

Kronika January 31, 2020 - 14:15
Sami Thaqi, 38-vjeçar, është zyrtari i 21-të policor i Kosovës, i cili ka humbur jetën në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë. Rasti i parë i vrasjes së një zyrtari policor është regjistruar në shtator të viti 2001, ndërsa qysh nga ajo kohë shqetësimi më i madh është ngritur për mungesën e sigurimit shëndetësor e jetësor për të gjithë ata zyrtarë, të cilët primare e kanë përkujdesjen për sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend

Kjo javë e ka zënë Policinë e Kosovës në vorbullën e telasheve. Përveç mërzisë për humbjen e kolegut të tyre nga Njësia Antidrogë, Sami Thaqi, dhe plagosjes së dy të tjerëve në një sulm me eksploziv në mbrëmjen e së martës, në fshatin Zhur të Prizrenit, zyrtarët policorë të Kosovës janë më se të shqetësuar për mungesën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për ta, shkruan sot gazeta "Zëri".

Edhe 21 vjet pas luftës dhe 20 vjet nga themelimi i Institucionit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët policorë ende nuk janë duke e gëzuar një të drejtë themelore që u takon atyre. E raste si ai i të martës, sipas njohësve të sigurisë në vend, mund të ndodhin edhe më tutje në rast se për zyrtarët policorë nuk fillojnë trajnimet e nevojshme, qofshin ato edhe për bastisjet policore, për arrestimet e të dyshuarve ose për aksione të tjera madhore. Njohësi i cështjeve të sigurisë, Drizan Shala e ka parë të nevojshme trajnimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e veçanërisht për eksploziv.

“MPB-ja duhet të investojë në krijimin e kushteve për trajnimin e çdo pjesëtari në çdo fushë e në veçanti ato të eksplozivit e jo të merret me keqmenaxhimin e fondeve që dedikohen për fushën e trajnimeve. Është fakt se 90% i numrit të zyrtarëve nuk e ka përfunduar trajnimin se si të kontrollojë vendin e ngjarjes në rast se raportohet se ka lëndë eksplozive”, ka thënë tutje ai për gazetën.

Ai ka shprehur shqetësimin që raste të tilla do të mundë të ndodhin edhe në të ardhmen e që nevojitet një bashkëveprim më i detajuar i njësive operative dhe i organizatave të sigurisë në nivelin nacional.

“Raste të tilla mund të kemi në të ardhmen, por mund të kemi edhe raste të tjera ku mund të përdoren edhe lëndë biologjike/kimike dhe këto raste kërkojnë trajtim e qasje tjetër dhe për të cilat është e trajtuar vetëm një njësi në kuadër të MFSK-së. Pra duhet të kemi bashkëveprim më të detajuar operativ në mes njësive dhe organizatave të tjera të sigurisë në nivel nacional”, ka theksuar njohësi i çështjeve të sigurisë. /ZERI

Lexo edhe Shala: Policëve është duke iu mohuar një e drejtë themelore
Kronika January 31, 2020