11 të akuzuarit e aferës “Pronto” deklarohen të pafajshëm

Kronika November 16, 2018 - 08:46
Detajet
Image

“Aspak s’e ndiej veten fajtor”, kjo ishte përgjigjja e ish-shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Adem Grabovci kur kryetari i trupit gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shashivar Hoti, kërkoi nga të akuzuarit që një nga një të deklarohen rreth fajësisë ose pafajësisë së tyre. Pavarësisht incizimeve të publikuara, ku dëgjohen bisedat e punësimeve dhe të ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe në raporte personale 11 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shtatë muaj pas ngritjes së aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ndaj njëmbëdhjetë zyrtarëve e ish-zyrtarëve të lartë të shtetit të akuzuarit e rastit të njohur si rasti “Pronto” të enjten u deklaruan të pafajshëm.

Në seancën e shqyrtimit fillestar ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik i MPB-së Sedat Gashi, ish-drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu, dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë Arbenita Pajaziti mohuan akuzat.

Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe të banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga Neni 193, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Pas prezantimit të palëve kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti kërkoi nga palët të dijë nëse duan të lexohet aktakuza ose të konsiderohet si e lexuar. Të akuzuarit u pajtuan që aktakuza të konsiderohet e lexuar, mirëpo me këtë nuk u pajtua prokurorja e Prokurorisë Speciale Drita Hajdari. Ajo i kërkoi kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti, që aktakuza të lexohet.

 “Edhe unë jam palë në këtë procedurë dhe kërkoj të lexohet aktakuza”, u shpreh Hajdari.

Gjykata refuzon kërkesën e prokurores Drita Hajdari për leximin e aktakuzës

Megjithatë kryetari i trupit gjykues nuk e mori aspak parasysh kërkesën e prokurores për leximin e aktakuzës dhe mori vendim që aktakuza të konsiderohet e lexuar.

“Aspak s’e ndiej veten fajtor”, u shpreh shkurt ish-deputeti i PDK-së Adem Gravovci. 

Ashtu si Grabovci u deklaruan edhe 10 të akuzuarit tjerë, që të gjithë zyrtarë dhe ish-zyrtarë shtetërorë.  Gjatë seancës njëri nga të akuzuarit Xhavit Dakaj pohoi se asnjëherë nuk ishte intervistuar nga prokurorja dhe se nuk e kupton si ka mundur të ngrihet aktakuza ndaj tij.

 “Për mua është e paqartë se si është ngritur aktakuza ndaj meje kur unë nuk jam ftuar në intervistë nga prokurorja”, u shpreh Dakaj.

Berisha: Aktakuza nuk mund të justifikohet pa qenë pjesë e saj edhe Hashim Thaçi

Pas përfundimit të seancës mbrojtësi i Besim Beqajt, avokati Besnik Berisha pohoi se kjo lëndë është vetëm humbje kohe për institucionet e drejtësisë.

 “Më vjen keq që gjyqtarët presin  shumë, por në fakt kjo është veç një humbje kohe për institucionet e drejtësisë, sepse ky kapitull është i mbyllur, ligjërisht është i vjetruar dhe juridikisht nuk qëndron. Është bërë një taktikë e Prokurorisë këtu, sepse e paraqet shpërdorimin e pozitës zyrtare, ose shkeljen e të drejtave dhe statusin e qytetarëve të Kosovës e paraqet në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre si ministër vetëm e vetëm për t’i ikur parashkrimit, por jo që do të pijë ujë”, u shpreh avokati Berisha.

Berisha pohon se parashkrimi nuk do të jetë kundërshtimi i vetëm i mbrojtjes që do të përdorë gjatë procesit gjyqësor për kundërshtimin e këtyre akuzave. Sipas tij, edhe ligjshmëria e përgjimeve është e kontestueshme, mënyra e ruajtjes së tyre dhe jo shkatërrimi, mënyra se si janë kërkuar dhe pse janë dorëzuar.

 Avokati Berisha pohoi se kjo aktakuzë nuk ka vlerë pa qenë pjesë e saj personi kryesor, që është presidenti i tanishëm Hashim Thaçi.

“Ajo çfarë është dëgjuar nga përgjimet, ta përballësh me atë se kush është akuzuar rezulton se është një hetim i ndikuar. Beqaj besoj shumë që është përplotësuar në numër dhe është justifikuar mosguximi i Prokurorisë për të akuzuar ata që në fakt ligjërisht do të duhej të ishin prirës të kësaj aktakuze. Nuk është vetëm Adem Grabovci aty. Unë mendoj që kjo aktakuzë nuk mund të justifikohej në asnjë mënyrë me mënyrën se si është paraqitur pa qenë pjesë edhe z. Thaçi dhe të tjerët e shefat që i raportojnë atij”, ka thënë Berisha.

Aktakuza e prokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe të banorëve të Republikës së Kosovës” përpos Grabovcit, Pajazitit e Beqajt ngarkon edhe ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziun, aktualisht këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit, ish-shefen e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë Arbenita Pajazitin, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme Ilhami Gashin, ish-zëvendësministrin e Punës dhe të Mirëqenies Sociale Fatmir Shurdhajn e ish-këshilltarin politik të MPB-së Sedat Gashin.

Historiku i aktakuzës

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës të ngritur në prill të këtij viti, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe të përparësive të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe duke kufizuar liritë e të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

 Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe e ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit, si dhe mediet e shoqëria civile. Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas Nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Ky rast ishte publikuar nga mediet publike, duke zbuluar veprimet e metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta të interesit, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si afera “Pronto” ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Adem Grabvoci.

 Në vitin 2011 për herë të parë ishin publikuar në medie bisedat nga disa përgjime të EULEX-it e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veselin dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së. Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe të Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave./ “Zëri”