Po hetohen prokurorë, gjykatës e ambasadorë

Kronika September 21, 2018 - 07:52
Lexoni më shumë detaje
Image

Prokuroritë themelore në vend po i hetojnë mbi 60 raste për mosdeklarim ose për deklarim të rremë të pasurisë së zyrtarëve publikë, të cilat ua ka dorëzuar këtë vit Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit. Në mesin e zyrtarëve që po hetohen ka prokurorë, gjykatës, ambasadorë, anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike, asamblistë komunalë etj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Dy prokurorë, disa gjyqtarë, një ambasador i Kosovës, anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe asamblistë komunalë janë duke u hetuar nga prokuroritë themelore në vend për mosdeklarim ose për deklarim të rremë të pasurisë.

Hetimet ndaj këtyre zyrtarëve të lartë publikë po zhvillohen pas dosjeve të dorëzuara nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Shtetit.

Shaip Havolli, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se gjatë këtij viti në Prokurori i kanë dorëzuar 60 raste që ndërlidhen me mosdeklarim ose me deklarim të rremë të pasurisë së zyrtarëve publikë.

“Gjatë vitit 2018, pas zhvillimit të procedurave përkatëse, Agjencia ka përcjellë në Prokurorinë e Shtetit mbi 60 raste për mosdeklarim dhe për deklarim të rremë, sipas Nenit 437, paragrafit 1 dhe 2 të KPK-së. Zyrtarët u përkasin të gjitha niveleve, siç është e përcaktuar në Ligjin nr. 04/L-050 dhe 04/L-228, duke filluar nga këshilltarë të asambleve komunale, të emëruar politikë, anëtarë bordesh të NP-ve dhe rregullatorëve etj.”, ka thënë Havolli.

Krerët e prokurorive themelore në vend konfirmojnë për gazetën “Zëri” për rastet që janë duke i hetuar, por ata nuk japin emra se për cilët zyrtarë publikë bëhet fjalë, me arsyetimin se nuk dëshirojnë t’i pengojnë hetimet.

Beka: Po hetohen edhe ambasadorë

Vetëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë dorëzuar gjithsej 30 raste që kanë të bëjnë me mosdeklarimin ose me deklarimin e rremë të pasurisë së zyrtarëve publikë. 

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, i ka thënë gazetës “Zëri” se janë tre prokurorë të kësaj prokurorie nga Departamenti i Përgjithshëm, të cilët janë duke hetuar rastet e mosdeklarimit ose deklarimit të rrejshëm të pasurisë nga ana e zyrtarëve shtetërorë.  

Sipas tij, nga 1 janari i këtij viti e deri në këtë muaj (shtator) në këtë Prokurori janë ngritur 12 aktakuza për raste të tilla.

“Vetëm prokurorit Shpend Krasniqi në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj Prokurorie i janë dorëzuar 17 lëndë të kësaj natyre, dy prej tyre janë dërguar në Prokurori të tjera, sepse s’ka qenë kompetencë jona, për 6 lëndë janë pushuar hetimet në mungesë të provave, për 6 të tjera është ngritur aktakuza dhe tri lëndë janë në fillim të hetimeve”, ka thënë kryeprokurori Beka.

Sipas kryeprokurorit të Prishtinës, gjashtë aktakuzat e ngritura nga prokurori Shpend Krasniqi janë ndaj një ambasadori, por pa e përmendur për cilin ambasador është fjala me arsyetimin se mund të pengohen hetimet, ndaj një kryesuesi të Departamentit të Raportimit të Performancës, ndaj një këshilltari të Asamblesë Komunale në Drenas, ndaj një ish-këshilltari të Asamblesë Komunale në Podujevë, një tjetër ndaj një anëtari të Bordit Drejtues të asamblesë kombëtare të valleve “Shota”, si dhe ndaj një asamblisti komunal në Drenas.

Po ashtu edhe dy prokurorët të tjerë, sipas Bekës, kanë ngritur aktakuza për mosdeklarim të pasurisë ose për deklarim të rremë.

“Prokurorit Atdhe Demaj i janë dorëzuar 10 lëndë të këtij profili, dy prej tyre kanë përfunduar me pushim hetimi, dy me hedhje poshtë, pesë me aktakuza dhe një aktvendim për fillim të hetimeve. Ndërsa prokurorit Enver Krasniqi i janë dorëzuar gjithsej gjashtë lëndë, tri prej tyre kanë përfunduar me pushim hetimi, një ka rënë poshtë, një me aktakuzë dhe një me aktvendim për fillim të hetimeve”, ka treguar Beka.

Në Mitrovicë po hetohet një gjykatës, në Prizren dy prokurorë

Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, përveç asamblistëve komunalë e shefave të Inspektoratit, ka edhe gjykatës që po hetohen për mosdeklarim ose për deklarim të rremë të pasurisë.

“Në vitin 2018, në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës janë pranuar 8 lëndë që kanë të bëjnë me mosdeklarim ose me deklarim të rremë të pasurisë. Pozitat e personave në institucione janë: 1 gjykatës, 1 drejtor, 3 këshilltarë, 1 shef inspektorati, 1 asamblist komunal dhe 1 zyrtar i lartë për komunikim. Të gjitha lëndët janë ende në fazën e hetimeve”, bën të ditur Prokuroria e Shtetit. Ndërsa Prokuroria Themelore në Prizren për dyshime të njëjta është duke i hetuar edhe dy prokurorë.

“Prokuroria Themelore në Prizren sa i përket veprës penale ‘Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’ nga Neni 437 i Kodit Penal Kosovës ka pasur këto raste: 4 (katër) lëndë të trashëguara; 5 (pesë) lëndë të kryera; 1 (një) aktakuzë e drejtpërdrejtë në gjykatën kompetente; ndërsa në 4 (katër) raste të tjera kemi pushim të hetimeve dhe 4 raste gjinden ende në procedim”, bën të ditur Zyra e Prokurorisë së Shtetit.  

Hetimet ndaj zyrtarë publikë në Pejë, në Gjilan e në Ferizaj

Dy këshilltarë komunalë të Asamblesë Komunale në Klinë dhe një menaxher në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Pejës janë duke u hetuar për këtë çështje nga Prokuroria Themelore në Pejë.

“Lidhur me hetimin e zyrtarëve publikë për mosdeklarimin e vërtetë të pasurisë së tyre ose me deklarim të rrejshëm në Prokurorinë Themelore të Pejës kemi 3 raste, të cilat janë duke u hetuar ndaj zyrtarëve nën dyshimin e kryerjes se kësaj vepre penale. Rasti i parë ka të bëjë me hetimin e një zyrtari, i cili mban pozitën e menaxherit në Drejtorinë e Inspektoratit në Komunën e Pejës, kurse në dy raste të tjera hetimet janë duke u zhvilluar ndaj dy zyrtarëve që mbajnë pozitën e këshilltarëve komunalë në Asamblenë e Komunës së Klinës”, ka bërë të ditur zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.  

Ndërkohë, nga 6 raste sa ishin dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Gjilan 5 prej tyre kanë përfunduar me aktakuzë për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.

“Ju njoftojmë se Departamenti i Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Gjilan gjatë këtij viti ka pranuar dhe ka trajtuar gjashtë (6) raste sa i përket mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, në të cilat janë të përfshirë gjashtë (6) persona, të pandehur (një zyrtar në Universitetin e Gjilanit, dy këshilltarë komunalë, dy asamblistë, si dhe drejtori i Stacionit të Autobusëve në Gjilan)”, bën të ditur kjo Prokurori.

Edhe në Prokuroritë Themelore në Ferizaj dhe në Gjakovë, gjatë vitit 2018, janë dorëzuar disa raste të tilla. Prokuroria në Ferizaj ka pranuar 3 lëndë, njëra prej tyre ka përfunduar me aktakuzë, një aktakuzë është hedhur poshtë në mungesë të provave dhe një tjetër rast ende është nën hetime.

Në Prokurorinë e Gjakovës nga 7 lëndët e dorëzuara gjatë këtij viti 3 prej tyre janë kryer, ku për dy prej tyre është ngritur aktakuzë dhe një rast pas mbledhjes së provave ka rezultuar me pushim të hetimit. Sipas zyrtarëve të kësaj prokurorie, 4 lëndë janë të papërfunduara, pasi janë pranuar më vonë në Prokurorinë Themelore të Gjakovës dhe këto raste janë ende nën hetim.

Dënime me burg, deri në 5 vjet

Ligji për Deklarimin e Pasurisë, sipas këshilltarit ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) Florent Spahijës, i ka paraparë personat që duhet të deklarojnë pasurinë derisa mbajnë pozita të larta shtetërore.

Ai thekson se mosrespektimi i kësaj norme ka bërë që Kodi Penal i Kosovës të kriminalizojë mosdeklarimin e pasurisë ose raportimin e rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave ose të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare si vepër penale.

“Çdo zyrtar i lartë që do të kryente këtë veprim duhet të dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet. Mosdeklarimi në këtë rast konsiderohet nëse deklarata nuk është paraqitur në afatin e paraparë me ligj. Në anën tjetër, nëse bëhet falsifikimi ose nuk paraqiten të dhënat ashtu siç janë, atëherë dënimi është me gjobë dhe me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet”, shprehet Spahija.

Ai pohon se shumë i rëndësishëm është fakti se Kodi Penal i Kosovës thotë që pasuria e padeklaruar që është e fituar në mënyrë të kundërligjshme konfiskohet.

Sipas tij, Kodi Penal në këtë raste nuk ka lënë opsion të dënimit të zyrtarëve vetëm me gjobë ose vetëm me burg (kusht), por është e detyrueshme që krahas dënimit me gjobë, sipas tij, të jepet edhe dënimi me burg. Spahija shprehet se gjykatat janë të pavarura në matjen e dënimit dhe shkalla e dytë është vlerësuesi për lartësinë e dënimit