Veteranët e rrejshëm po hetohen edhe nga prokuroritë themelore

Kronika August 29, 2018 - 07:52
Lexo detajet
Image 
Image

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) nuk është e vetmja që po heton rastet e fryrjes së listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Janë disa raste të fryrjes së listave të veteranëve që janë shpërndarë në disa prokurori themelore të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Rastet e fryrjes së listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) përveç nga Prokuroria Speciale po hetohen edhe nga disa prokurori themelore të Kosovës.

LEXO EDHE: Të martën seancë kundër korrigjimit të kufijve

Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” prokurori i Prokurorisë Speciale Sylë Hoxha, i cili ka shtuar se përgjegjësia penale për mashtrimet me listat e veteranëve do të bjerë mbi të gjithë ata që janë përfshirë në këto mashtrime, duke nisur nga anëtarët e Komisionit për Verifikimin e Veteranëve e deri te veteranët e rrejshëm.

“Që nga anëtarët e Komisionit janë hetimet e hapura e deri te të gjithë ata që kanë keqpërdorur për të hyrë në lista, ata të gjithë janë të përfshirë në hetime. Përveç rastit që e kemi ne në Prokurorinë Speciale janë edhe raste të tjera, të cilat janë shpërndarë në prokuroritë themelore të regjioneve. Nëpër të gjitha prokuroritë themelore ka raste që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve”, është shprehur Hoxha.

Ai ka pohuar se aktakuza që ish-prokurori i Prokurorisë Speciale Elez Blakaj ka lënë në gjysmë do të plotësohet, sepse ka qenë e mangët dhe e njëjta shumë shpejt do të dërgohet në Gjykatë.

“Kryesorja, aktakuza do të kompletohet dhe do të dërgohet në Gjykatë, sepse është në prioritet dhe presim që shumë shpejt të dërgohet në Gjykatë”, ka thënë Hoxha.

Qeriqi: Përgjegjësia për mashtrimet e listave të veteranëve u takon të gjithëve

Ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të ish-luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka pohuar se të gjithë ata që janë përfshirë në mashtrimet e listave të veteranëve duhet të hetohen dhe të marrin përgjegjësinë.

“Përgjegjësia u takon të gjithëve që kanë marrë pjesë, prej komandantëve të njësiteve e deri te komandantët e zonave dhe përgjegjësia u takon edhe të tjerëve. Edhe këta që kanë aplikuar dhe e kanë fituar statusin e veteranit në mënyrë të rrejshme duhet të japin përgjegjësi për arsye se kanë keqpërdorur në këtë rast”, është shprehur ai.

Qeriqi thotë se nga rasti i tashmë ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale Elez Blakajt më nuk ka besim në Prokurorinë e Shtetit.

Ai nuk pret që rastet e mashtrimeve me pensionet e veteranëve të zbardhen nga Prokuroria e Shtetit.

“Më herët kam deklaruar se kam shpresuar dhe e kam vlerësuar shumë Prokurorinë e Shtetit, mirëpo pas deklaratës së prokurorit Elez Blakaj sinqerisht ju them se e kam humbur besimin në këto institucione dhe pak shpresë kam që do të zbardhet ndonjë e vërtetë në këtë rast”, ka shtuar Qeriqi.

Smaka: Turp për sistemin e drejtësisë

Veteranët mashtrues, të cilët po gëzojnë pensione nga shteti, nuk janë të vetmit që do të përgjigjen para drejtësisë. Faj të përbashkët po konsiderohet të kenë edhe anëtarët e Komisionit Verifikues të këtyre listave, që lejuan manipulimin me buxhetin shtetëror.

Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Riza Smaka, në një prononcim për gazetën “Zëri” e ka quajtur turp për sistemin e drejtësisë falsifikimin me listat e veteranëve.

“Faji është i pandarë. Edhe i atyre që kanë aplikuar duke e ditur se nuk kanë qenë luftëtarë, edhe i këtyre që kanë pranuar duke e ditur se nuk kanë qenë pjesëtarë të luftës. Faji është i secilit që ka dhënë kontribut për t’u regjistruar rrejshëm. Kjo është turp edhe për sistemin e drejtësisë, edhe për ata si individë, edhe për këta të Komisionit”, është shprehur Smaka.

Sipas tij, me këto falsifikime listash po u vishet një hije e zezë luftëtarëve të vërtetë.

“Këta po ua hedhin një hije të zezë luftëtarëve që kanë luftuar me armë, të zbathur, të uritur e të plagosur. Disi reflektojnë negativisht edhe në statusin aktiv të pjesëtarëve të luftës. Këto janë akte penale, falsifikime të rënda. Natyrisht, Komisioni e ka fajin e vet, por edhe ata se janë bashkëkryerës të veprës penale”, ka deklaruar në mes të tjerash ai.

Kalaja kërkon hetime gjithëpërfshirëse

Proces të kriminalizuar e quan drejtori ekzekutiv i Qendrës Kundër Korrupsionit Fidan Kalaja manipulimin me listat e veteranëve.

Në një deklaratë për gazetën “Zëri” ai ka thënë se në kushte normale gjithë zinxhiri i zyrtarëve të përfshirë në procesin e verifikimit të veteranëve të luftës do të duhej të përfundonin në procese gjyqësore.

“Në kushte normale i gjithë zinxhiri i zyrtarëve të përfshirë në procesin e verifikimit të veteranëve të luftës do të duhej të përfundonte në procese gjyqësore. Fatkeqësisht kjo nuk do të ndodhë, sepse më se miri këtë e ka përshkruar ish-prokurori i lëndës dhe pasojat që ai është dashur t’i përballojë për veprimet ligjore të tij në kuadër të fazës së hetimeve dhe përgatitjes së aktakuzës. Pra, e kemi edhe një krim tjetër, i cili po shfaqet e rishfaqet e që është i instaluar në organet me të larta të organit të hetuesisë dhe në përgjithësi në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, ka theksuar në mes të tjerash Kalaja.

Ndërsa në mesin e gjithë këtij procesi ai thotë se ka gjetur vetëm një element pozitiv, atë që zyrtarët e kanë pranuar krimin e bërë.

“Pra, a do të duhej që të këtë një hetim të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në këtë proces dhe a do të duhet që ata të gjykoheshin dhe të dënoheshin nëse gjenden fajtorë, përgjigja është po. A do të ndodhë kjo, përgjigja për fatin tonë të keq është jo.

Vetëm një element “pozitiv” që nuk duhet injoruar e që ka ndodhur gjatë këtij procesi është që në mënyrë shumë transparente zyrtarët e lartpërmendur e kanë pranuar krimin e bërë dhe kjo është ironia më e madhe e tërë këtij skandali”, ka përfunduar drejtori ekzekutiv i “Kund 16”.

Përndryshe, shpenzimet për veteranët e luftës janë dyfishuar brenda vitesh. Derisa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 për pensionet e veteranëve janë shpenzuar 20.2 milionë euro, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kjo shumë ka arritur në 37.8 milionë të tjera.