Të martën seancë kundër korrigjimit të kufijve

Aktuale August 29, 2018 - 07:46
Lexo detajet
Image

Subjektet opozitare kanë arritur të sigurojnë më shumë se 40 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për t’i kundërshtuar bisedimet për korrigjim të kufijve në Kosovë. Seanca pritet të mbahet të martën e ardhshme, më 4 shtator, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Partia Socialdemokrate kanë arritur të sigurojnë më shumë se 40 nënshkrime për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për të kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve dhe për mbledhjen e këtyre nënshkrimeve u ka dalë në ndihmë edhe partneri i koalicionit Nisma për Kosovën.

LEXO EDHE: Rashiq: Gjermania s’e do një 'Siri të Re' brenda Evropës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare do të mbahet më 4 shtator.

Në llogarinë e tij në “Facebook” Hoti ka shkruar se pret që të gjithë deputetët ta mbështesin këtë rezolutë.

“Sot kemi mbajtur mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së, në të cilën i kemi diskutuar përgatitjet për seancën e jashtëzakonshme për nxjerrjen e rezolutës që ia ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës. Seanca do të mbahet më datë 4 shtator 2018. E mirëpres mbështetjen që po i jepet kësaj rezolute edhe nga grupet e tjera parlamentare. Pres që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë rezolutë. Duhet t’i lëmë anash dallimet tona dhe të bëhemi bashkë për ta ndaluar presidentin që të nxjerrë në pazar territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Votën e tij për rezolutën e opozitës ka thënë se do ta japë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një konferencë për medie, të mbajtur ditën e djeshme, ai ka thënë se opozitës i kanë dhënë mundësi disa herë që të marrin përgjegjësi për dialogun, por ata nuk e kanë bërë.

Seanca thirret para takimit të radhës Thaçi – Vuçiq

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar se tashmë ata kanë mbledhur mjaftueshëm vota për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.

“Kemi marrë qëndrim bashkërisht që ta thërrasim seancën dhe ne deputetët që i takojmë LVV-së, LDK-së dhe të PSD-së kemi numrin e mjaftueshëm sepse me 40 nënshkrime mund të ftohet seanca. Është numër i mjaftueshëm dhe të tria subjektet që jemi dakorduar e tejkalojmë numrin e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e seancës”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se seanca do të thirret para takimit të presidentëve në Bruksel.

Edhe Besa Baftiu, deputete nga radhët e PSD-së, ka thënë për gazetën se seanca e jashtëzakonshme mund të thirret më 4 ose më 5 shtator të këtij viti. Sipas saj, anëtarët e kësaj partie tashmë kanë dhënë nënshkrimet e tyre.

“PSD-ja ka bërë ftesë qysh në fillim të këtij muaji që të kthehen në Kuvend dhe të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me dialogun dhe për çështjet e bisedimeve që Thaçi po i bën pa legjitimitet. Ne jemi dakorduar dhe në momentin që merret vendimi prej të tria subjekteve opozitare për cilën ditë do të thirret seanca, që po besoj se do të bëhet para se të shkojë Thaçi në Bruksel, po besoj që në javën e ardhshme diku më 4 ose më 5 shtator do të mbahet. Ne si PSD nënshkrimet i kemi të gatshme”, ka thënë ajo.

Edhe Nisma i bashkohet opozitës për mbledhjen e nënshkrimeve

Deputeti nga radhët e Nismës, Bilall Sherifi, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar se kjo parti do të marrë pjesë në thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në kundërshtim të korrigjimit të kufijve.

“Nisma do të marrë pjesë në çdo seancë të Kuvendit të Kosovës, nuk ka dilema për këtë gjë. Qëllimi i partisë është se nuk duhet të ketë bisedime për shkëmbim, korrigjim të territoreve dhe nëse rezoluta ka parasysh edhe qëndrimin e Nismës sigurisht që do të marrim pjesë edhe në votim të rezolutës”, ka thënë ai.

Sipas tij, presidenti nuk duhet të negociojë për territor me Serbinë. “Kryeministri në emër të Qeverisë ka thënë se presidenti nuk e ka mandatin nga Qeveria të negociojë për territorin. Kryeministri Haradinaj, zëvendëskryeministri Limaj, por edhe PDK-ja është kundër ndryshimit të kufijve. Nëse të gjitha partitë politike janë kundër, atëherë mirë është që edhe përmes rezolutës qëllimet tona që i kemi veç e veç t’i shndërrojmë në qëndrime të përbashkëta. Rezoluta do të shprehte qëndrimin e të gjitha partive politike, të cilat janë kundër ndryshimit të kufijve”, ka thënë ai.

 

Haliti: Posa të dërgohen nënshkrimet në Kuvend seanca mund të thirret brenda ditës

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka treguar se pasi të dorëzohen nënshkrimet në Kuvend brenda ditës mund të thirret seanca e jashtëzakonshme.

Ai ka thënë për “Zërin” se deputetët kanë të drejtë të thërrasin seancë të jashtëzakonshme kur t’i mbledhin 40 nënshkrime.

“Seanca të jashtëzakonshme me Rregullore kanë të drejtë të thërrasin kryeministri dhe deputetët si nga opozita, ashtu edhe nga pozita. Me 40 nënshkrime do të sillet në Kuvend. Pasi të dorëzohen nënshkrimet brenda ditës mund të thirret seanca e jashtëzakonshme, varet kur ata e caktojnë kohën”, ka thënë ai.

Haliti ka theksuar se ende nuk ka informacione nëse është dërguar kërkesa për seancë në Kuvendin e Kosovës.

KDI-ja mbështet nismën për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ditën e djeshme përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ata mbështetin nismën e ndërmarrë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë - Serbi.

“Republika e Kosovës ka hyrë në fazën finale të dialogut pa një strategji shtetërore të aprovuar në Kuvendin e saj, pa përcaktuar temat e diskutimit, vijat e kuqe, afatet kohore, pritshmërinë e palës kosovare në këtë proces dhe pa legjitimuar me anë të një rezolute ekipin udhëheqës të Kosovës në këto bisedime. Faza përmbyllëse e dialogut është duke vazhduar me mungesë të theksuar të transparencës, pa koordinim të spektrit politik, pa koordinim të institucioneve të vendit dhe me veprime të njëanshme të presidentit”, thuhej në njoftim.

KDI-ja u ka bërë thirrje institucioneve të vendit të respektojnë mandatin e Kuvendit të Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës.

“Partitë politike parlamentare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Kosovë, duhet të respektojnë mandatin dhe kompetencat e tyre, duke ushtruar përgjegjësitë e tyre dhe duke mbajtur sa më parë seancën e jashtëzakonshme për dialogun. Veprimet e Republikës së Kosovës në këtë fazë kritike të dialogut duhet të koordinohen në Kuvend, duke i dhënë legjitimitet këtij procesi shtetëror përmes miratimit të një rezolute, e cila do të përcaktojë edhe vijat e kuqe të Kosovës, bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”, shkruhej më tej.